Një 42-vjeçar nga Tirana po ndiqet në gjendje të lirë pas denoncimit të bashkëshortes së tij në polici.
G.N., 42 vjeç, banues në Shkozë, është denoncuar nga e shoqja, e cila është paraqitur para bluve të komisariatit me pretendimin se i shoqi i kishte vjedhur kartën e bankomatit dhe më pas kishte tërhequr paratë në llogarinë e saj.
Sipas dëshmisë së gruas, një ditë, duke përfituar nga mungesa e vëmendjes së bashkëshortes, në banesën e tyre në rrugën “Ali Shefqeti”, ai i ka marrë nga çanta asaj kartën e bankës dhe ka tërhequr një sasi lekësh nga bankomati, pa dijeninë e saj. Ajo e ka zbuluar se i mungonin paratë kur ka shkuar t’i tërheqë nga bankomati, shkruan “Panorama’.



