Izraeli paralajmëroi të dielën, më pak se një orë para hyrjes në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin, se armëpushimi nuk do të fillojë derisa lëvizja islamike palestineze të publikojë një listë me emrat e pengjeve që pritet të lirohen.
Në një deklaratë për mediat Hamasi pohoi sërish qëllimet e tij për të respektuar marrëveshjen, por pranoi një vonesë në dhënien e emrave të pengjeve që do të liroheshin, për arsye teknike në terren.
“Kryeministri i dha udhëzime ushtrisë izraelite se armëpushimi, i cili do të hyjë në fuqi në orën 8:30 të mëngjesit me orën lokale, nuk do të fillojë derisa Izraeli të marrë listën e pengjeve të liruar”, tha zyra e Netanyahu-t në një deklaratë për mediat.
Çfarë përmban marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit?
Faza e parë gjashtëjavore e marrëveshjes përfshin shkëmbimin e 30 pengjeve izraelite, mes të cilëve gra, fëmijë dhe të moshuar me të burgosur palestinezë në burgjet izraelite.
Forcat izraelite gjithashtu do të tërhiqen në lindje, larg zonave me popullsi të dendur të Gazës. Palestinezët e zhvendosur do të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre dhe qindra kamionë ndihma do të lejohen të kalojnë çdo ditë.
Faza e dytë përfshin lirimin e pengjeve të mbetur dhe një tërheqje të plotë të trupave izraelite.
Në fazën e tretë, përfshihet kthimi i trupave të pengjeve dhe rindërtimi i Gazës, gjë e cila mund të marrë vite.



