
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot gjatë konferencës për media edhe lidhur me nismën për shkarkimin e Presidentit të Republikës, ndërsa theksoi se procesi vazhdon.
Rama tha se “do të presim edhe raportin e Komisionit të Venecias dhe pastaj do të gjykojmë mbi bazën e raportit”.
“Ne e kemi çuar çështjen për trajtim në Komisionin e Venecias për të pasur një proces të konsoliduar dhe të mirëkuptuar nga publiku tërësisht, por edhe të qartë për të gjithë komunitetin e miqve dhe partnerëve tanë”, tha Rama.
Procesi vazhdon, tha kryeministri, duke shtuar se “nuk ishim të detyruar ta çonim në Komisionin e Venecias, por duke qenë se i besojmë gjithnjë ndërtimit të proceseve të konsoliduara dhe harmonizuara me mendimin më të mirë të fushës aty ku është e mundur dhe duke qenë se në këtë rast kemi mundësinë e një mendimi të padyshimtë për nga cilësia në këtë fushë, i jemi drejtuar Komisionit të Venecias”.
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot i gatshëm të dialogojë në çdo moment me opozitën jashtëparlamentare, por theksoi se “nuk jemi të gatshëm të negociojmë asgjë që lidhet me vullnetin e popullit të shprehur me votë”.
Gjatë konferencës për shtyp, Kryeministri foli për situatën politike në vend, ndërsa u shpreh se “nuk ka asnjë iniciativë të ndërkombëtarëve për një komunikim me Bashën për zgjidhjen e krizës politike”.
“Unë nuk jam i gatshëm që të harxhoj kohën time dhe të njerëzve në këtë muhabet çdo ditë, sepse me të drejtë çdo njeri i zakonshëm i këtij vendi mund të thotë: ‘ik se na rrokanisët kokën që të gjithë’. Ka shumë gjëra më të rëndësishme dhe detyra më të rëndësishme për mua sot, se sa të pres Lulzim Bashën apo Monika Kryemadhin, apo këdo qoftë tjetër që të kandisen për të folur. Është puna e tyre. Ne kemi marrë një barrë që mua më ka hequr përfundimisht mundësinë e atij pak gjumi që bëja më parë, sepse duhet të drejtojmë të gjitha bashkitë e vendit”, tha Rama.
Rama: Ekonomia u rrit me 2.21%, borxhi dhe papunësia u ulën, aksioni anti-informalitet do të vijoj
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të zhvillojë sot konferencën përmbyllëse me gazetarët për 6 mujorin e parë të këtij viti. Edhe pse u shpreh se pyetjet lidhur me politikës, do ia lë gazetarëve duke nisur bisedën me situatën ekonomike në vend, Rama u shpreh se në konferencë karahas përmbledhjes për gjysmën e parë të vitit, do të përmenden edhe prioritetet për periudhën periudhën shtator 2019, korrik 2020, duke nënkuptuar kështu vendosmërinë e tij në vijimin e mandatin qeverisës. Kryeministri Edi Rama tha se rritja ekonomike për gjysmën e parë të vitit 2019 është 2.2% më e lartë se ajo e vitit 2018. Rama tha se ka patur një frymë anti-shtet e cila ka ulur të ardhurat, si edhe është rritur informaliteti.
“Një komunikim për të përmbledhur 6 mujorin e parë të vitit dhe për të nënvizuar disa prioritete shtator 2019-korrik 2020. Duke filluar nga ekonomia, që edhe në një situatë jo normale, aspak nxitëse, por frenuese u rrit krahasuar me një vit më parë me 2.21%. Ndërkohë efekti i thatësirës së madhe është i ndjeshëm duke pasur parasysh se vjet patëm një vit me shumë reshje dhe mundësi të shtuar për rritjen ekonomike. Të ardhurat kanë pasur një pasojë problematike për shkak të frymës së anti shtetit që ka ndikuar edhe në rritjen e informalitetit, që do të mbetet në fokus. Papunësia është ulur. Borxhi rezulton me një ulje në raport me qershorin e vitit të kaluar, -2.16%”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se është ulur sërish borxhi publik dhe se punësimi është rritur me 1.4%.
Edhe pse punësimi është rritur, kryeministri Rama ka bërë me dije se informaliteti në punë ka shënuar rritje.
“Punësimi është rritur 1.4% më shumë se një vit më parë, +0.6% krahasuar se 6 muaj më parë. Një fakt vlen të nënvizohet zyrat e punës vetëm këtë 6 mujor kanë kryer 16 mijë punësime, por informaliteti në punë ka shënuar rritje, pra mosregjistrimi i punonjësve. Financat publike janë të qëndrueshme dhe borxhi rezulton me ulje në raport me qershorin 2016”, ka deklaruar Rama.
Çështja e Teatrit Kombëtar
Kryeministri Rama tha se deri në fund të vitit do të çelen dyert e Tatrit, që sipas tij do të transformohet komplet.
"Deri në fund te vitit të çelim dyert e Teatrit që më në fund transformohet nga një gjysmë gërmadhë në një Teatër Europian.
Kur ta shihni përgatituni që tju besoni syve, nuk ka asnjë ekzagjerim në këtë që po them. Ndërkohë që në drejtim të kulturës kemi boshllëqe seriozë. Kemi filluar projektin e Bibliotekës së re kombëtare, kemi fillluar të punojmë për Teatrin e ri të fëmijëve, po diskutojmë për projeketin e një strukture binjake në raport me historinë dhe po diksutojmë për një dyshe të Muzeut të parlamentit aty ku është sot Teatri i Kukullave dhe muzeut të Monarkisë aty ku është sot Pallati i Brigadave.
Jemi në proces diskutimesh dhe njëkohësisht po punojmë për projektin e një muzeu të ri ku duam me patjetër të jetë historia e shpëtimit të Hebrejve gjatë luftes’, u shpreh Rama.



