
Çmimi Nobel në Fizikë për vitin 2019 iu dha sot tre shkencëtarëve për studimet e tyre mbi kozmosin dhe zbulimin e një planeti të ri jashtë sistemit diellor.
Çmimi iu dha James Peebles për "zbulimet e tij teorike në kozmologjinë fizike" dhe Michael Mayor dhe Didier Queloz "për zbulimin e një ekzoplaneti që rrotullohet në një yll të ngjashëm me diellin".
Të dy laureatët e Nobelit përfaqësojnë "zbulime themelore" në fushën e shkencës dhe astronomisë, tha Mats Larsson, profesor i fizikës molekulare dhe kryetar i Komitetit Nobel për Fizikë.
"Dekadat e fundit kanë sjellë një përparim të jashtëzakonshëm në lidhje me të kuptuarit tonë të universit dhe vendit që zëmë ne në të".
Peebles zbuluan rrezatimin kozmik në vitin 1965, gjë që çoi në një kuptim më të thellë të përbërësve të errët të universit, të cilët kanë qenë në kozmos që koha e Big Bangut.
"Përmes punës së tij dhe mënyrave të reja për të vëzhguar dhe matur universin tonë, kozmologjia evoluoi në një shkencë precize", tha Larsson.
Sot, 54 vjet pas zbulimit të tij, Peebles tha se mbeten ende shumë pyetje në lidhje me materien e errët dhe rolin që ajo luan në zgjerimin e universit.
"Ende duhet të pranojmë që materia e errët dhe energjia e errët janë misterioze", tha Peebles para Akademisë së Shkencave Mbretërore Suedeze.
Peebles ka lindur në Kanada dhe ka bërë karrierë në Universitetin Princeton, ku është një profesor edhe sot.
Në vitin 1995, Mayor dhe Queloz zbuluan ekzoplanetin e parë, 51 Pegasi b, ndërsa ishte në Observatorin Haute-Provence në Francën e Jugut.
"Ky ishte një zbulim që ndryshoi përgjithmonë pikëpamjen tonë për vendin e Tokës në univers", tha Larsson. "Që atëherë janë zbuluar më shumë se 4 000 ekzoplanetë. Kohët e fundit janë zbuluar planetë si opsion për të mirëpritur jetën”.
Në fillim, Queloz nuk e dinte saktësisht se çfarë kishte gjetur.
"Në atë kohë nuk mendoja fare se ishte një planet", tha Queloz.
Mayor ka lindur në Zvicër dhe ligjëron në Universitetin e Gjenevës. Edhe Queloz ka lindur në Zvicër dhe është profesor në Universitetin e Gjenevës dhe Universitetin e Kembrixhit.



