
Shqipëria ka shpallur non grata dy diplomatë të Ambasadës së Iranit në Tiranë. Në një njoftim të mbrëmshëm të Ministrisë së Jashtme thuhet se ata dyshohet të jenë përfshirë në aktivitete që cenojnë sigurinë në vend.
“Shqipëria ka marrë vendim për shpalljen si persona të padëshiruar të dy diplomatëve të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilët dyshohen të jenë përfshirë në aktivitete që cenojnë sigurinë në vend. Vendimi për shpalljen e diplomatëve iranian si të padëshiruar është marrë në konsultim me vendet aleate, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik”, thuhet në njoftim.
Pak pas njoftimit të Ministrisë së Jashtme, këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare në SHBA, John Bolton, konfirmoi me anë të një postimi se njëri prej të dëbuarve është ambasadori i Iranit në Tiranë, Gholamhosein Mohammadnia.
“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dëboi ambasadorin iranian, duke i sinjalizuar liderëve iranianë se mbështetja e tyre për terrorizmin nuk do të tolerohet. Ne mbështesim kryeministrin Edi Rama dhe popullin shqiptar teksa ata qëndrojnë kundër sjelljes së papërgjegjshme dhe të rrezikshme të Iranit në Europë dhe përreth globit”, shkroi Bolton në Tuiter.
Vendimi për dëbimin e ambasadorit iranian u pasua më vonë nga nje letër falënderimi që presidenti Trump i dërgoi kryeministrit Rama.
“I dashur Z. Kryeministër: Faleminderit për përpjekjet tuaja të palëkundura duke iu kundërvënë Iranit dhe duke iu kundërpërgjigjur veprimeve e përpjekjeve të tij destabilizuese për t’u mbyllur gojën disidentëve anembanë globit. Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda. Shqipëria ka qenë gjithmonë një mike e madhe e Shteteve të Bashkura dhe unë mirëpres rritjen e partneritetit tonë, ndërsa ballafaqohemi me çështjet e shumta të rëndësishme që të dy vendet tona hasin”, thuhet në letrën e presidentit amerikan.



