
Gazetari Mentor Kikia i ka dedikuar një dokumentar historisë politike shqiptare në harkun e 100 viteve dhe mesazhi që përcjell është se asgjë nuk ka ndryshuar në 100 vite.
I ftuar në emisionin “Arnautistan” në MCN TV, Kikia tha duke shfletuar dokumentet kuptoi se përngjasimi i vitit 2021 me 1921-shin ishte i trishtë dhe gati i frikshëm.
“Pasi kisha një indicie mbi dokumentet e procesit të parë zgjedhor në Shqipëri në pranverën e vitit 1921 punova në arkiva për të parë sa kemi evoluuar në standartet e demokracisë dhe ndërkohë që shfletoja gjeta fakte që ishin dëshpëruese të cilat po ti marrësh dhe ti përshtatësh kupton që nuk je në vitin 2021 por në vitin 1921. Është e njëjta mënyrë të sjelluri e politikanit, i njëjti përdorim shteti, të institucioneve, të nënpunësve, të autoriteteve të kohës etj, etj. Ishte një përngjasim i trishtë, i frikshëm. Kohën sot nuk mund ta lëmë pa e gjykuar pavarsisht se kemi evoluar, në standartet politike jemi frikshëmrisht 100 vjet pas. Kur pashë dokumentet mu kujtua shprehja që përdorim në përditshmëri “ne jemi 100 vjet mbrapa”. Jemi duke përsëritur të njëjtat gjëra, të njëjtat handikape. Për këtë disa fajësojnë komunizmin, disa të tjetër Perandorinë Osmane, ka të tjerë që shkojnë në gjenetikë dhe kjo ide ka ngacmuar nacionalistët që thonë se nuk është faji i shqiptarëve por i politikanëve. Unë në dokumentar nuk ndaj klasën politike nga shqiptarët dhe të dyja palët janë përgjegjës njësoj. Është një handikap i frikshëm dhe nuk di nëse është gjenetikë. Por po ti referohesh historisë kemi prapambetje dhe këtu është vështirë të gjesh fajtorin” tha Kikia.



