Kreu i PR Fatmir Mediu duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV theksoi rëndësinë e mos ndarjes së opozitës në disa rryma, pasi sipas tij kjo do të jetë në dëm të saj.
I pyetur për rezolutën e miratuar për Shqipërinë nga Unioni Demokrat Ndërkombëtar, Mediu tha se “opozita tashmë ka vendosur një partneritet me faktorin ndërkombëtar”.
“Duhet bashkim opozitar. Shoh tendenca për ndarje opozitare në disa rryma. Ka një element negativ elektoral, sepse votat që nuk kthehen në mandate janë në dëm të opozitës. Opozita krahas denoncimit të situatës, duhet të parashtrojë edhe kapërcimin e situatës me ide konkrete. Opozita duhet t’i ketë të qarta, të shkurtra, të prekshme, propozimet e saj. E katërta është e rëndësishme vazhdimi i bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar”.
Po ashtu Mediu vuri në pah nevojën për krijimit të një “qeverie kujdestare” për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke sjellë në vëmendje shembullin e Maqedonisë së Veriut.
Kreu i PR tha se kryeministri Edi Rama ka shkelur protokollin duke zënë vendin e Presidentit Begaj në ceremoninë e rihapjes së Katedrales "Notre Dame".
I pyetur në lidhje me lëvizjen studentore, Mediu tha:
“Fillimet e lëvizjes studentore kanë qenë hapi i parë drejt përmbysjes së regjimit komunist. Thirrja e tyre ‘ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’, për fat të keq s’është bërë e mundur të realizohet. Por Shqipëria ka bërë disa hapa të rëndësishëm si anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, dhe mundësia për të diskutuar statusin e vendit kandidat tani. Pjesa më e madhe e rinisë, pjesa më intelektuale e shoqvrisë, më shumë se 1/3 janë larguar nga Shqipëria, sepse këtu janë mohuar liritë dhe të ardhmen ekonomike. Qeverisja është e lidhur me korrupsionin dhe krimin. Kemi një pushtet të përqendruar në duart e një njeriu, pamundësi për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qeveria kontrollon gjithçka, jetën e kujtdo. Kemi një eksod masiv, dhe s’është çudi që kjo të jetë zgjedhje e qëllimshme e qeverisë, sepse ka më të lehtë të kontrollojë jetën dhe ekonominë e qytetarëve shqiptarë. Të rinjtë duhet të dëgjojnë zërin dhe mendjen e tyre për të bërë atë që është më e mira, dhe jo të jenë pre e zhurmës propagandistike të kësaj qeveria. Jemi në një situatë jashtëzakonisht problematike”.



