
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Zëmblak të Maliqit. Një 46- vjeçare e identifikuar si Luiza Mullalli është gjetur e vrarë në gropën septikë të shtëpisë nga forcat e rendit. Si autor i ngjarjes dyshohet të jetë bashkëshorti Gjergji Mullalli. Çifti ishin prindër të tre fëmijëve, 2 vajza dhe 1 djalë, ata ishin në proces divorci. Sipas të dhënave autori ishte konsumues alkooli dhe ai jetonte tek shtëpia e prindërve, pasi viktima ishte e pajisur me urdhër mbrojtje. 46-vjeçarja ishte e punësuar në një rrobaqepsi në Korçë. Dyshohet se pasi e ka vrarë, ai e ka hedhur trupin e pajetë në një gropë të ujërave të zeza. Nëna e viktimës tregoi se vajza e saj ka pasur një jetë të vështirë, burri i saj ishte edhe i alkoolizuar dhe shpeshherë ushtronte dhunë. Ndërkohë policia është vënë në ndjekje të autorit të vrasjes, Gjergji Mullalli.



