Mbulesa me konstruksion metalik dhe konstruksionet me kolonat e zgjatura duket se kanë ngritur jo pak pyetje për atë se çfarë po ndodh me xhaminë historike të Et’hem beut, e ruajtur si monument kulture. E mbyllur për t’iu nënshtruar restaurimit, sipas një projekti të dakordësuar mes ministrisë së Kulturë dhe Agjencisë Shtetërore Turke për Zhvillim, TIKA, xhamia nuk është e hapur për vizitorët.
Por kur ky objet ndër më të vizitueshmit do të jetë gati për publikun?!
Arta Dollani, drejtuese e Institutit të Monumenteve të Kulturës, pohon se kjo do të realizohet së shpejti:
“Tani ka mbetur dhe pjesa e çatisë dhe kjo është arsyeja, sepse është ndërtuar edhe struktura e çatisë mbrojtëse, pasi tani jemi pikërisht në fazën kur do të restaurohet çatia, pra do hiqen tjegullat, pjesa e mbulesës së plumbit, do të restaurohen shtresat poshtë këtyre mbulesave dhe për gjithë këtë proces, i cili kërkon hapjen e krejt çatisë së xhamisë së Et’hem beut, është vendosur kjo çati mbrojtëse e cila është e përkohshme, është drejt përfundimit, pasi ditët e fundit, është vendosur edhe mbulesa e saj me e lartë, pra kjo çati mbrojtëse do të hiqet menjëherë sa të përfundojnë edhe punimet e restaurimit të çatisë së xhamisë së Et’hem beut”.
Xhamia e Haxhi Et’hem Beut, është një xhami e ndërtuar në Shqipëri nga Mulla Beu, nga Petrela, rreth fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë, i cili me qëllim bamirësie i hodhi themelet e para të kësaj xhamie më 1791.



