Ish-zëvendës komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari për mbetjet e rrezikshme të ankoruara në portin e Durrësit mëngjesin e sotëm, thotë se ka një protokoll i cili lidhet me trajtimin e mbetjeve të rrezikshme, i cili është brenda një konvente të posaçme të ratifikuar nga shteti shqiptar, për mënyrën se si trajtohen në ambientet portuale.
Duke folur për emisionin “MCN Economy”, Meçollari deklaroi se porti i Durrësit i ka kapacitetet për këto transporte, por ngriti si shqetësim se nuk ka transparencë dhe se fshehja e transportit nga institucionet është e qëllimshme.
Ai tha lëvizja e ngarkesave të rrezikshme nuk është e jashtëligjshme, pasi kryhet rregullisht në çdo port, por mbi bazën e konventave të posaçme.
Meçollari shtoi se kjo çështje lidhet me sigurinë publike dhe për nga pasoja që shkakton, mund të lidhet dhe me sigurinë kombëtare, duke e cenuar atë, madje shprehet se kjo çështje duhet hetuar nga SPAK pasi është aferë dhe jo aksident.
Lëvizja e ngarkesave në 4 korrik apo më parë janë kryer në shkelje të këtyre protokolleve.
Lëvizja e ngarkesave të rrezikshme, përveç konventës së Bazelit, kryhet në respekt të një konvente për lëvizjet e ngarkesave të rrezikshme përmes detit, e ratifikuar nga shteti shqiptar dhe përgjegjësia kryesore i takon shtetit shqiptar, pastaj dhe çdo organizëm ka përgjegjësitë e vetme.
Që nga kompania që ka prodhuar mbetjet, ajo që i ka transportuar, mënyra si paketohen në portin e Durrësit, burimin e tyre, si ruhen në anije dhe si hidhen, është protokoll i përcaktuar, kodi që lidhet me transportin e mbetjeve të rrezikshme.
Ky kod për të cilin flas ka sjellë që porti i Durrësit, si port që administron të gjithë aktivitetin e firmave kontraktore, në dhjetor 2021, ka nxjerr një rregullore të posaçme, vetëm për administrimin dhe lëvizjen e ngarkesave të posaçme në portin e Durrësit.
Ekziston baza ligjore, por nuk ka ekzistuar vullneti për kryerjen e këtij aktiviteti në mënyrë të ligjshme, prandaj është detyruar kjo ngarkesë të kthehet në pikën zero.
Kjo çështje lidhet me sigurinë publike që për nga pasoja që shkakton, mund të lidhet dhe me sigurinë kombëtare. 2100 ton të vendosura rifuxho në një port kombëtar, në një mjedis me erë, me shi, me kushte që mund ta shpërndajnë këtë element toksik, kemi të bëjmë jo thjesht me cenimin e sigurisë publike dhe shëndetit publik, por me cenimin e sigurisë kombëtare.
Për mendimin tim Presidenti duhet të kishte mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Ministria e Mjedisit dhe e Transportit janë dy institucionet përgjegjëse. Ministria e Financave dhe Dogana, kemi shumë institucione përgjegjëse.
Gjykoj se transporti është fshehur. Dhe Autoriteti Portual Durrës është përgjegjësi kryesor për transportin e mbetjeve.
Ka hyrë në territorin e një autoriteti të caktuar, deri në këtë moment nuk ka qenë nën kontrollin e një autoritetit shtetëror, ka qenë jashtë ndonjë autoriteti siç mund të ketë qenë në uzinën e Kurumit.
Me hyrjen në portin e Durrësit, ky është momenti mund të kapej, por mendoj se është lejuar qëllimisht se del se nuk është ngarkesa e vetme që ka dalë.
Nëse do respektohej kodi, kostoja për lëvizjen e kësaj ngarkese 2100 ton në një destinacion të pranuar i cili bën incenerim apo trajtim, do të ishte disa herë më e lartë se kostoja që ajo lëvizi më 4 korrik.
Për të zvogëluar këto kosto është bërë gjithë ky operacion. Porti i Durrësit nuk ka asnjë shans t’i shpëtojë hetimit penal që është ngritur lodhur me lëvizjen e kësaj ngarkese të rrezikshme.
Kostoja e lëvizjes së padeklaruar si mbetje e zakonshme është më e ulët se sa kur deklarohet si mbetje e rrezikshme, e cila ka kosto shumë më të lartë.
Kjo ka të bëjë me mënyrën e transportit dhe destinacionin se Tajlanda nuk ishte për incenerimin e tyre, por ishte për groposje.
Gjithë operacioni në rast se do deklaroheshin mbetje toksike, nga ana e kompanisë që i transporton do të ishte shumë e kushtueshme.
Nuk ka transparencë dhe hetim administrativ për të nxjerrë personat përgjegjës se ku është thyer rregulli.
Deri tani nuk kemi asnjë institucion shtetëror që të ketë bërë deklaratën edhe më të vogël lidhur me këtë ngjarje.
Kjo tregon që këto institucione janë të përfshira në këtë ngjarje. Jam i bindur se çështja nuk do të ngelet në Prokurorinë e Durrësit, por do të përfundojë në SPAK.
Sepse nga informacionet që kam unë personat e përfshirë kanë status të veçantë dhe mund të hetohen vetëm nga SPAK.
Hetimi administrativ mund të bëhet, se natyrisht nuk lejohet se në një hetim të tillë të mbivendoset dhe një hetim penal.
Por nëse hetimi administrativ do ishte, a ekziston baza ligjore në Shqipëri për trajtimin e këtyre mbetjeve?
Mund të zgjerohet përtej hetimit administrativ dhe në fund mund të nxjerrë gjithë problematikat që kanë dalë në këtë aferë.
Ka mungesë transparence lidhur me këtë çështje, ministria e drejtuar nga Balluku mundohet t’i heqë përgjegjësinë Autoritetit Portual Durrës.
Prokuroria ka deklaruar se do të mbajë nën monitorim 24 orë anijen “Moliva”, e cila po mban 102 kontejnerë, me 102 tonë, mbetje të dyshuara të rrezikshme.



