Çarja e argjinaturës së kënetës në Tale ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore, ndërkohë që rrezikohen edhe banesat.
Korrespondenti Juli Simoni në një raportim në Mcn Live bën me dije:
“Situata vijon të jetë problematike kryesisht në territorin e Bashkisë së Lezhës ku çarja e argjinaturës së lagunës së Vainit në zonën e Tales ka krijuar mjaft probleme. Janë me qindra hektarë tokë bujqësore që janë nën pushtimin e ujit dhe disa banesa që janë rrethuar nga uji. Niveli i ujit vijon të rritet për shkak të depërtimit të ujërave të lagunës në këtë pjesë, në kanalin që lidh Spitenin me hidrovorin e Tales. Ka një angazhim të strukturave por është e pamundur për të mbyllur pjesën e argjinaturës të carë. Niveli i ujit po vjen gjithnjë e në rritje dhe banorët janë të alarmuar, pasi me këtë rritje uji mund të hyjë në banesat e tyre. Ne terren ndodhen forcat e ushtrisë dhe është sjellë edhe një varkë që mund të përdoret në rast nevoje për evakuim. Sipas banorëve kjo situatë ishte e paralajmëruar. Ata thonë se duhet të ishte ndërhyrë me kohë dhe fajësojnë autoritetet për neglizhencë. Sipas banorëve pjesa e lagunës që lidhet me detin nuk është hapur”.



