
Ndarja nga jeta e aktorit Guljelm Radoja ditën e sotme është shoqëruar me reagime të shumta.
Regjisori Kastriot Çipi, një prej miqve të Radojës, përmes një interviste në studion e lajmeve të MCN TV rrëfeu për momentet e fundit të aktorit. Çipi tha se e kishte marrë vesh vonë infektimin me Covid të Radojës dhe se kur e kishte parë nga afër siç shprehet ai “ishte tepër vonë për të komunikuar me të”. I pyetur lidhur me komunikimin e fundit që kanë pasur bashkë, regjisori tha “ e vetmja gjë që më ka thënë pas maskës së oksigjenit ka qenë një faleminderit dhe një përshëndetje me dorë”.
Intervista në studion e lajmeve në MCN TV:
Çipi si ka qenë kjo periudhë për aktorin e njohur? Kur u prek nga Covidi dhe çfarë thoshte ai për trajtimin që po i bëhej në spital?
Çipi: Unë e kam marrë vesh kur ishte tepër vonë, ai e kishte mbajtur sekret. Kur unë kam mundur ta shoh ishte tepër vonë sepse ishte me oksigjen dhe nuk mund të komunikonim. E vetmja gjë që më ka thënë pas maskës së oksigjenit ka qenë një faleminderit dhe një përshëndetje me dorë.
Para disa kohësh u vaksinuan disa personalitete të artit, do ishte e udhës që edhe figura si Radoja të ishin përfshirë në këtë listë?
Çipi: Me sa duket jo, por duhet të kuptoni natyrën e tij modeste, ai nuk ka kërkuar kurrë vlerësime e respekt, ai nuk ka asnjë vlerësim nga institucuionet shtetërore dhe nuk ka kërkuar as vaksinim.
Radoja ishte një ndër artistët që mbështeti hapur kauzën e Teatrit. Si e shihte ai këtë çështje, çfarë mendonte për situatën e krijuar?
Çipi: Gulieni jetonte në Durrës dhe na ndiqte nga Durrësi përmes live-ve që ne bënim dhe ishte i informuar për atë që po bënim. Ai ka ardhur vetëm tre herë gjatë momenteve të vështira kur kemi pasur tradhti grupesh. Ai ka gjetur momentet e duhura për të ardhur dhe për të dhënë një mesazh. Gjatë dy viteve ne kemi dëgjuar denigrime dhe çnuk ka thënë kreybashkiaku e kryeministri për ne. Radoja iku nga kjo botë pa asnjë borxh.
Si ishte jeta e tij artistike vitet e fundit, a pati ndonjë project që nuk mundi ta përmbushë?
Çipi: Vitet e fundit ka pasur një aktivitet më të rrallë, kryesisht në film dhe ka pranuar disa oferta nga regjisorë të ri dhe madje edhe nga studentë. Ai se kishte problem që nuk kishte një super regjisor nga pas. Ai ka qenë shumë komfort dhe të dorëzohej I gjithi. Nuk di të them sa ka dashur teatrin apo filmin. Në Tetarin e Durrësit ai nuk është ndjerë në lëkurën e tij. Jo rastësisht deri në vitet 90 kishte xhiruar mbi 30 filma. Pas pluralizmit e prisja që të ikte nga ai Teatër dhe iku. Di të them që nuk I ka munguar dëshira për të punuar dhe këtë punë e ka bërë me dashuri dhe jo nga paraja. Radoja nuk ishte I pasur, për të mos thënë që ishte i varfër.



