Avokati Naim Hasani nga Londra, e quan zgjim kombëtar protestën 20-ditore në Tiranë, të nisur kundër projektit në Zvërnec.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai tha se me qindra shqiptarë janë nisur nga Anglia, Gjermania, Belgjika dhe shtete të tjera për të mbërritur në protestën e së shtunës në Tiranë, për t’i thënë jo shpopullimit dhe për të kërkuar një Republikë të re.
Sipas tij, qëllimi i vërtetë i këtyre protestave është dalja njëherë e përgjithmonë nga regjimi 35-vjeçar i Edi Ramës dhe Sali Berishës, të cilët kanë detyruar që gjysma e shqiptarëve të largohen nga vendi.
Kjo protestë nuk mund t’i shpëtojë syrit dhe vëmendjes së shqiptarëve në Diasporë dhe për rrjedhojë bashkohen dhe ata. Mjaft qytetarë shqiptarë kanë dalë fundjavave para ambasadës shqiptare në Londër dhe kanë protestuar njëlloj si protestuesit në Shqipëri, duke kërkuar largimin e klasës politike në Shqipëri.
U desh një shkëndijë për të shpërthyer protesta, pasi një pjesë e elitës politike dhe ekonomike pasurohet dhe përvetëson pasuritë e shqiptarëve, ndërkohë që qytetarët shqiptarë ikin nga vendi që të gjejnë një të ardhme për fëmijët e tyre. Protestat filluan si kundër projektit të Zvërnecit dhe kundër ndërtimeve të familjes Trump.
Në të gjithë Europën kanë marrë zë protestat e nisura për zonat e mbrojtura, për flamingot dhe vijuan me kërkesën për largimin e kësaj klase politike. Shqipërisë i mungonte një frymë e vërtetë për ndryshim dhe gjithë shoqëria shqiptare kishte rënë në pesimizëm dhe depresion total dhe e vetmja ngritje ishte ajo për partitë, ku qytetarët rreshtoheshin për partitë dhe sistemin se kush e kush të mbizotëronte më shumë.
Qëllimi i vërtetë i këtyre protestave është dalja njëherë e përgjithmonë nga regjimi 35-vjeçar i Edi Ramës dhe Sali Berishës, të cilët kanë detyruar që gjysma e shqiptarëve të largohen nga vendi. Është një zgjim kombëtar dhe një ndër protestat më paqësore dhe demokratike që ka njohur Europa, sepse janë simbol i mënyrës se si protestohet nga qytetarët.
Janë një shembull i mirë dhe për vendet e tjera se si qytetarët shqiptarë janë ngritur për të protestuar ndaj një regjimi që për 35 vite i ka vjedhur dhe mbajtur nën tutelë. Londra është bërë dhe origjina e këtij organizimi, ku një numër i madh shqiptarësh janë nisur me makina nga Londra, pasi ndihen të braktisur nga regjimi 35-vjeçar i Ramës dhe Berishës dhe kërkojnë një Republikë të re, që të thonë fjalën e tyre kudo që ata ndodhen.
Familjarë shqiptarë edhe me fëmijë, po udhëtojnë me makina me autokolona, me flamuj dhe kanë udhëtuar nga Londra në Belgjikë, nga Belgjika në Gjermani, në Austri dhe Slloveni dhe mëngjesin e nesërm me qindra makina do jenë në kufirin e Shqipërisë, ku nesër mbrëma do protestojnë bashkë me rininë shqiptare, për të thënë se diaspora shqiptare janë bashkë me të rinjtë në Shqipëri, për ti thënë jo shpopullimit të Shqipërisë, për t’i thënë jo më largimit, por bërjes së Shqipërisë një shtet demokratik.



