Kedhi: Çështja e AKSHI-t kërkon më shumë transparencë, ekstradimi i Beqirit i rëndësishëm për zbardhjen e aferës

Kedhi: Çështja e AKSHI-t kërkon më shumë transparencë, ekstradimi i Beqirit i rëndësishëm për zbardhjen e aferës

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, ka kërkuar më shumë transparencë nga institucionet e drejtësisë lidhur me hetimin e dosjes së AKSHI-t dhe ndalimin e Ermal Beqirit, duke deklaruar se zbardhja e plotë e kësaj çështjeje kërkon sqarime si nga personat e përfshirë, ashtu edhe nga institucionet shqiptare.

 

Për MCN tv, Kedhi u ndal te rëndësia e ekstradimit të Beqirit për vijimin e hetimeve, duke theksuar se kjo çështje ka ende shumë pikëpyetje që duhet të marrin përgjigje.

 

Në këtë aferë ka shumë gjëra që do të duhet të sqarohen dhe do të duhet shumë më tepër transparencë, duke nisur që nga fakti nëse ka pasur një urdhër arresti, mënyra se si kanë vepruar institucionet dhe të gjitha informacionet e tjera që duhet t’i sqarojë vetë Beqiri, por edhe institucionet shqiptare. Ekstradimi i tij është një element i rëndësishëm për të kuptuar më mirë atë që ka ndodhur dhe për të zbardhur përgjegjësitë në këtë çështje.

 

Sipas tij, Partia Demokratike vlerëson se SPAK duhet të kishte një reagim më të fortë jo vetëm për dosjen e AKSHI-t, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme që kanë prekur opinionin publik.

 

SPAK duhet të bënte shumë më tepër, jo vetëm për këtë çështje, por edhe për shumë të tjera. Përtej pakënaqësive që ne kemi shprehur herë pas here ndaj Prokurorisë së Posaçme, vetë shoqëria shqiptare pret më shumë nga SPAK për shumë çështje. Afera e AKSHI-t është një nga më të rëndat që ka ndodhur në historinë e tranzicionit shqiptar në këto 30 vite dhe nuk më duket se ka qenë ky reagimi që pritej nga SPAK përballë akuzave për një grup të strukturuar kriminal. Për një çështje të tillë është bërë shumë pak.

 

Ai shtoi se PD ka qenë aktive në denoncimin e rasteve që, sipas tij, kërkojnë hetim dhe transparencë, duke nënvizuar rolin e opozitës në adresimin e këtyre çështjeve pranë institucioneve.

 

Partia Demokratike ka qenë ndoshta i vetmi grupim që është përpjekur të sjellë transparencë për çështje të tilla. Kanë qenë paditë e PD-së, hetimet e saj dhe denoncimet e vazhdueshme që kanë vënë herë pas here në lëvizje edhe drejtësinë. Ne do të vijojmë ta bëjmë këtë, sepse qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën.

 

Duke folur për shqetësimet e ngritura nga opozita edhe pranë partnerëve ndërkombëtarë, Kedhi u shpreh se një nga problemet kryesore lidhet me mungesën e transparencës dhe vonesën e veprimeve institucionale.

 

Çalimi kryesor është te transparenca. Fakti që Ermal Beqiri udhëtonte i lirë dhe personazhe të tjerë të përfshirë në çështjen e AKSHI-t apo në çështje të tjera vazhdojnë të lëvizin pa pengesa, ngre pikëpyetje serioze. Në shumë raste nuk janë institucionet shqiptare apo SPAK që marrin iniciativën, por janë institucionet e huaja ato që sjellin zhvillime. Kjo është një problematikë që prek mënyrën se si funksionojnë institucionet e reja të drejtësisë.

 

Nënkryetari i Partisë Demokratike komentoi edhe deklaratat e investitorit Mohamed Alabbar për projektin e Portit të Durrësit, duke kërkuar një hetim të thelluar për mënyrën se si është zhvilluar ky proces. Sipas tij, projekti fillimisht ishte konceptuar si një mundësi modernizimi me mbështetje evropiane, por më pas, sipas tij, prona publike iu dha një investitori pa garë dhe pa tender.

 

Projekti i Portit të Durrësit nisi si një projekt modernizimi me fonde të Bashkimit Evropian, por kjo nuk ndodhi. Kryeministri shqiptar, i cili sipas nesh është mësuar të falë pronat publike shqiptare, ia dha këtë aset Alabbarit pa garë dhe pa tender, me premtimin se aty do të bëhej një mrekulli, se do ta kishte zili e gjithë bota dhe se do të krijoheshin mijëra vende pune. Sot çfarë kemi? Kemi një investitor që thotë se është nxituar me këtë investim në Shqipëri. Atëherë kush mban përgjegjësi për dëmtimin e një aseti strategjik si Porti i Durrësit?

 

Kedhi ngriti shqetësimin se vendi mund të përballet me pasoja financiare nëse investitori i huaj do t’i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar.

 

Porti i Durrësit është një nyje lidhëse e Shqipërisë me Evropën dhe një aset strategjik edhe për sigurinë kombëtare. Ndërkohë që është dhënë për t’u shndërruar në një projekt turistik, sot Shqipëria rrezikon të mbetet pa një port alternativ. Nëse ky investitor do ta çojë Shqipërinë në arbitrazh, çfarë do të ndodhë? A do të përsëritet historia si në raste të tjera ku faturën e paguajnë qytetarët shqiptarë?

 

Në përfundim, Kedhi akuzoi qeverinë se e ka futur vendin në një situatë të vështirë dhe kërkoi ndryshim politik.

 

Ajo që po ndodh nuk është një gabim i rastësishëm, por një plan i mirë menduar, përgjegjës për të cilin është kryeministri i Shqipërisë. Sot vendi rrezikon ose të mbetet pa port, ose të detyrohet të paguajë sërish miliona në arbitrazh. Për këtë arsye, sipas nesh, zgjidhja është që Edi Rama të mbajë përgjegjësi politike dhe shqiptarët të kenë një mundësi të re për ta ndërtuar vendin me dinjitet.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy