
“Kjo fundjavë do të jetë ndoshta korriku më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në 50 vitet e fundit në Greqi”, tha meteorologu Panagiotis Giannopoulos, në kanalin televiziv publik ERT. Të dielën në kryeqytet priten temperatura 44 gradë Celsius dhe në Selanik 45 gradë Celsius. Sipas shërbimit kombëtar meteorologjik EMY, temperaturat prej 41°C janë regjistruar sot në Atikë, në rajonin e Athinës, ndërsa në Selanik, në qendër të vendit, termometri ka arritur në 44°C. Në ishullin Evia, një 46-vjeçar ndërroi jetë pasi u shtrua në spital me temperaturë trupore 41 gradë. Sipas spitalit ku burri ishte shtruar, vdekja nga arresti kardio-respirator mund të ishte shkaktuar nga ekspozimi ndaj një temperature shumë të lartë. Sipas parashikimeve, vala e të nxehtit që godet Greqinë mund të zgjasë deri të premten e ardhshme, më 28 korrik. Rreziku i zjarreve mbetet i lartë, ndërsa sot zjarrfikësit kanë vijuar operacionin në perëndim të Atikës, në Lakoni dhe në ishullin Rodos, për të përballuar zjarret e shpërthyera ditët e fundit.



