
Valdrin Pjetrin është emëruar në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP), institucion përgjegjës për administrimin e proceseve që lidhen me njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave.
Sipas njoftimit, Pjetri e merr drejtimin e institucionit në një fazë të rëndësishme të konsolidimit të shërbimeve dhe avancimit të proceseve në fushën e pronave.
Me një përvojë të gjatë në administratën publike dhe në drejtimin e institucioneve shtetërore, ai vlerësohet si administrator me eksperiencë në menaxhimin e strukturave të ndryshme. Pjetri ka përfunduar studimet e larta në Financë-Kontabilitet dhe zotëron diplomë master të nivelit të dytë në Lidership.
Karriera e tij përfshin një sërë pozicionesh drejtuese. Gjatë viteve 2010–2014 ka shërbyer si administrator pranë Ministrisë së Financave, ndërsa nga viti 2014 deri në vitin 2017 ka mbajtur detyrën e drejtorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.
Në vitin 2018 u emërua drejtor i Hipotekës së Tiranës, ndërsa një vit më pas ushtroi detyrën e kryeregjistruesit dhe më pas atë të prefektit të Qarkut Shkodër. Që prej vitit 2022 ka qenë i angazhuar në Fondin Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), ku ka mbajtur pozicione me përgjegjësi në administratën publike.
Emërimi i tij në krye të Agjencisë së Trajtimit të Pronave vlerësohet si një hap drejt forcimit të efikasitetit institucional, rritjes së transparencës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët në proceset e trajtimit të pronave.



