Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:00, në fshatin Gocaj të Lezhës.
Si pasojë e përplasjes së fortë të dy automjeteve, kanë humbur jetën një çift bashkëshortësh.
Po ashtu raportohet se si pasojë e aksiedentit kanë mbetur të plagosur tre pasagjerë, mes të cilëve një grua dhe dy fëmijët e saj të mitur.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse për nxjerrjen e trupave nga mjetet e dëmtuara, të cilët më pas janë transportuar nga ambulanca.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Në njoftimin e Policisë thuhet:
"Rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Lezhë–Mabë”, në vendin e quajtur Gocaj, janë përfshirë në një aksident rrugor dy automjete: automjeti me drejtues shtetasin F. L. dhe automjeti me drejtues shtetasin P. F. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën shtetasi P. F., rreth 53 vjeç, si dhe pasagjerja në këtë mjet, shtetasja E. F., rreth 45 vjeç, bashkëshortë. Gjithashtu, janë dëmtuar 3 pasagjerë që ndodheshin në automjetin me drejtues shtetasin F. L., konkretisht bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e mitur, 6 dhe 2 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti".



