Testimi i tre rasteve të reja në vendin tonë, të dyshuara me COVID-19 në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, kanë rezultuar negative. Lajmi është dhënë të shtunën në mëngjes nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila konfirmoi rezultatet e nxjerra nga laboratori i virologjisë në lidhje me tre persona që kishin histori udhëtimi me vendet e prekura nga koronaviruesi COVID-19.
Deri në këto momente janë testuar 26 raste për koronavirusin e ri.
Ministria fton qytetarët dhe mediat t’i referohen burimeve zyrtare, ndërsa shton se do të informojë në vijimësi për situatën në vendin tonë.
Edhe pse pothuajse të gjitha vendet e rajonit janë prekur nga koronavirusi, Shqipëria deri më tani vazhdon të mbetet e paprekur nga epidemia.
Pavarësisht kësaj, masat dhe vigjilenca e autoriteteve mbetet në nivelet maksimale.
Të premten në të gjitha strukturat e parësorit dhe spitalet e vendit nisi shpërndarja e 1.2 milion maskave shtesë, përpos stokut që strukturat shëndetësore kanë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka rialokuar një fond shtesë prej 1 milion dollarë vetëm për shtimin e stokut të mjeteve të mbrojtjes personale në strukturat shëndetësore.



