Emergjencat civile vazhdojnë të mbeten një pikë e dobët e shërbimeve publike, ndërsa raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerr në pah se zjarrfikëset në 61 bashkitë e vendit i përkasin 5 deri në 6 dekadave më parë. Gjendja e mangët operacionale e helikopterëve të Ushtrisë të destinuar për emergjencat civile (zjarret), ka krijuar boshllëk në kryerjen e operacioneve të shuarjes së vatrave të zjarreve të rëna në vendin tonë. Sipas raportit thuhet se nga 4 helikopterë “Cougar” që kanë Forcat e Armatosura vetëm njëri është funksional, ndërsa forcat zjarrfikëse nuk kanë veshje dhe pajisje e makinat zjarrfikëse janë të viteve 1960-1970. Ky ishte një prej pasave të auditimit kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe publikuar në vitin 2022. Ndërsa Shqipëria ndodhet tashmë në stinën e zjarreve dhe temperaturave të lartë, nuk dihet nëse Mbrojtja Civile i ka të gjitha kapacitet për tu koordinuar edhe me pushtetin lokal. FactCheck është interesuar pranë Ministrisë së Mbrojtjes nëse janë kthyer nga servisi helikopterët “Cougar” dhe përgjigja e marrë nga zyra e shtypit është “Të gjitha kapacitetet e kërkuara nga AKMC janë në gatishmëri”. Por cila ishte panorama së paku e mjeteve zjarrfikëse nga auditi i vitit 2022. “Niveli qendror dhe lokal nuk ka burimet njerëzore dhe teknike të mjaftueshme për reagim ndaj situatave emergjente/zjarret. Nga 61 Bashki në shkallë Republike, janë marrë të dhëna në 55 prej tyre, në të cilat raportohen 152 zjarrfikëse. Nga këto 131 në gjendje pune, 8 me defekte të vogla, 3 me defekte të konsiderueshme, 10 jashtë përdorimit dhe 36 të pa targuara (pa dokumentacion). Shumë nga zjarrfikëset në dispozicion janë të vjetruara (disa që datojnë nga vitet gjashtëdhjetë), janë në gjendje të keqe dhe nuk janë të ndërveprueshme sepse janë dhuruar nga vende të ndryshme.”



