Çfarë fshihet pas shifrave të zgjedhjeve të 14 majit

Çfarë fshihet pas shifrave të zgjedhjeve të 14 majit

Pas bojkotit të vitit 2019 të zgjedhjeve vendore, opozita hyri në garën për të marrë drejtimin në 61 bashki të vendit.

Demokratët e ndarë në dysh këtë herë, në vend të garës me pushtetin nisën luftën mes tyre. Edhe pse pati disa tentativa për të hyrë bashkë në zgjedhje, negociatat nuk arritën. Të dyja palët vunë kushte që nuk mund të pranoheshin.

Kulmi i luftës mes demokratëve shpërtheu kur një vendim u Gjykatës së Apelit ktheu për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë ndryshimet statutore të depozituara nga grupimi i Rithemelimit në Partinë Demokratike. Të ndarë nëse duhet që dhe grupi tjetër që kishte kryesimin e grupit parlamentar duhet të ishte ose jo palë në këtë proces, Apeli detyroi gjykatën civile që të pranojnë ankimimin e PD-së së përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj. Shkurt: vula dhe logo e partisë demokratike zyrtare i mbetej grupimit të Alibeaj.

Koha për kreun e Partisë Demokratike që mbajti selinë, Sali Berishën, ishte shumë e shkurtër ai tashmë duhet të merrte një vendim se si duhet të hynte në garën e 14 majit, vetëm dhe pa asnjë përfitim që jep Kodi Zgjedhor për të ruajtur votat apo me Ilir Metën, emër i cili do t’i kushtonte pikë në fushatë dhe votues.

U zgjodh e keqja më e vogël. Në një marrëveshje me Partinë e Lirisë u ra dakord që në zgjedhje të hynin nën koalicionin “Bashkë Fitojmë”. Përpara se të merrte rezultatin e humbjes në 54 bashki të vendit Sali Berisha dhe Ilir Meta ishin të qartë që po hynin në kushte ta pabarabarta: vula e partisë i takonte grupimit të Alibeaj, paratë e fushatës që ndan buxheti i shtetit atij dhe më të rëndësishmit ata që mbrojnë votën: komisionerët dhe numëruesit i takonin në vetëm ¼ e qendrave zgjedhore dhe tavolinave, vetëm për kuotat e Partisë së Lirisë.

“Një krizë që zgjat gati dy vjet dhe nuk shihet në horizont zgjidhja. Mënyra se si formësoi aleancat pjesa më masive e Partisë Demokratike që përfaqësohet nga Sali Berisha, një aleancë pa principe dhe vlera morale” thotë Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve.

Sali Berishës iu ndalua nga Këshilli i Ankimimeve në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve që të vendoste dhe emrin si drejtues i koalicionit. Kjo është konsideruar shkelje edhe në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve OSBE-ODIHR.

Rreziku i kërcënimit të administratës, blerjes së votës, kërcënimit dhe marrjes në tavolinë dihej nga të gjithë. Edhe pse publikisht janë denoncuar nga opozita, drejtuesit e saj ishin të bindur se do të fitonin, të paktën ashtu siç dukeshin në publik.

Gjithë fushata e Partisë Socialiste nuk u përqëndrua te kandidatët, por te designimi “non grata” i Sali Berishës duke i vizatuar të dy me Ilir Metën si politikanë të vjetër dhe të korruptuar. Sllogani i socialistëve ishte vetëm përpara, kurrë më mbrapa!

Kulmi arriti kur kryeministri përsëriti në disa bashki ku rezultati ishte i ngushtë se nuk do të shihnin investime dhe për 4 vjet të tjera. 

Apo kur u bëri thirrje demokratëve që të mos dilnin të votonin nëse nuk e jepnin dot votën për socialistët.

Në një rast tjetër në Himarë, Edi Rama tha se nuk do të shkelte asnjë ditë nëse nuk votonin kryebashkiakun që socialistët rikandidonin : Jorgo Goron. Notat kryesocialistit me rivalin e Goros në Himarë ishin të ashpra. Dy ditë përpara zgjedhjeve Fredi Beleri arrestohet nga policia pas një hetimi të nisur nga prokuroria e Vlorës për blerje votash. I njohur si një përfaqësues i partisë për të drejtat e njeriut që ka mbështetetjen e pakicave kombëtare greke, Fredi Beleri shkaokti një lumë reagimesh nga nivelet më të larta institucionale të shtetit helen.

“Është një raport i përplasjes së shqiptarësisë dhe grekësisë. Një kauzë e forcuar nga strukturat etnonacionaliste të Greqisë dhe me pretendimin dhe investimin e shtetit grek për ta zgjeruar hartën e minoritetit grek në Shqipëri.” thotë Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve.

Nën një trysni të madhe dhe me përfaqësues të ambasadës greke, Beleri fiton bashkinë e Himarës me një diferencë prej 19 votash.

Fitorja e Himarës është vetëm 1 nga 7 bashkitë e vetme që fitoi opozita. Harta e Shqipërisë u mbulua me ngjyrën Partisë Socialiste, e cila mori për herë të parë dhe bashkinë e Shkodrës.

“2.2 milion votues që jeëtojnë në Shqipëri dhe 780 mijë që kanë votuar Partinë Socialiste, kjo do të thotë që shumica e shqiptarëve nuk votojnë për të dhe nuk e mbështetin Partinë Socialiste. Por edhe pse ka 10 vjet në pushtet PS ka arritur të mbajë votat e partisë së saj baza është e bashkuar, dhe kjo është shumë e mirë pas kaq vitesh në qeverisje, që pëlqimi duhet të binte.” thotë Neritan Sejamini, analist politik. 

Shkodra ishte fituar një vit më parë nga Bardh Spahia, kandidat i përbashkët i demokratëve të rithemelimit dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022, Spahia morri 20,125 vota kundrejt 18.205 të Majlinda Angonit nga Partia Socialiste dhe 7.749 që mori kandidati i Partisë Demokratike zyrtare Xhemal Bushati.

Në zgjedhjet e 14 majit Benet Beci që kandidoi nën logon e Partisë Socialiste mori 34.302 vota, 11.624 më shumë se kandidati Spahia i koalicionit Bashkë Fitojmë. Socialistët morrën 18 mandate në Këshillin Bashkiak të Shkodrës kundrejt 13 vendeve të Bashkë Fitojmë, 12 mandate në Këshill mori Partia Socialdemokrate dhe 5 PD-ja zyrtare.

Socialistët dominojnë në 53 bashki, të gjitha kanë kryeqendrat e vendit. Në Tiranë, për të tretën herën rresht fitoi Erion Veliaj me 158.852 vota kundrejt 100.422 të Belind Këlliçit. Këlliçi humbi me një diferencë të thellë prej 58.430 votash, më e thellë dhe se humbja e kandidatit të Partisë Demokratike në vitin 2015 Halim Kosova, ku Veliaj mori Tiranën me 43.607 vota plus.

Edhe shumica në Këshilli Bashkiak të kryeqytetit dominohet nga socialistët dhe aleatët e saj. PS ka 34 mandate nga 31 që duhen për të kaluar vendimet, ndërsa Bashkë Fitojmë mori 15 mandate, 4 Partia Demokratike zyrtare, 3 Partia Socialdemokrate dhe nga 1 mandat LZHK, Republikania, PDIU, Nisma Thurrje dhe Lëvizja Bashkë.

Lëvizja Bashkë ishte surpriza e këtyre zgjedhjeve, një parti e formuar vetëm disa javë përpara 14 majit, mori me kandidatin Arlind Qori 13.851 vota, në një fushatë të varfër dhe pa fonde. Arlind Qori doli në vendin e tretë duke mundur kandidatin e Partisë Demokratike zyrtare Roland Bejko, Marko Dajtin nga Fronti i Majtë dhe Lajla Përnaskën që kandidoi nën logon e PDIU.

“Nuk ka fitues në kuptimin substancial, shumica është fituese  në kuptimin formal që është PS e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, por kjo është e lidhur pashmangshmërisht me krizën e opozitës dhe një vektor tjetër, atë të emigrimit.” thotë Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve.

Në Durrës kandidati Igli Cara mori 38.784 vota, ndërsa fitoi Emirjana Sako me 48.512 vota, 9728 më shumë se opozita. Edhe pse humbës, diferenca mes Carës dhe votave që humbi Grida Duma nga PD përballë Vangjush Dakos në 2015n është më e vogël. Dako fitoi Durrësin në atë kohë me 12.720 vota më shumë.

Në Elbasan Luçiano Boçi humbi me 8019 vota përballë Gledian Llatjas, i cili mori në total 35.831 vota. Diferenca e humbjes së Boçit është më e ulët se ajo e vitit 2015 ku Qazim Sejdini fitoi me 14.990 vota përballë Adrian Turkut.

Opozita arriti të fitonte në Pukë, Fushë Arrëz, Memaliaj, Mirditë, Kavajë, Has dhe Himarë, ndërsa Finiqi u fituan nga partia e minoritetit kombëtar grek MEGA. Nga të gjitha këto bashki, koalicioni Bashkë Fitojmë ka shumicën e antërave në Këshill Bashkiak vetëm në Memaliaj përballë Partisë Socialiste, ndërsa nëse merret dominimi në bashki të tjera kjo do t’i mbetet krijimit të aleancave.

“Numrat që ka Partia Socialiste në Këshilla Bashkiakë janë të mëdhenj, por këtë herë këshilltarët do të ndihmojnë të ketë debat, diskutime, edhe për dhënien e një leje ndërtimi duhet të ketë konsultim me banorët, dhe në këtë kuptim puna dhe prezenca e tyre është shumë e rëndësishme në këshilla”thotë Neritan Sejamini, analist politik. 

Forcat opozitare humbën me rezultat të ngushtë në 10 bashki. Nëse do të ishin bashkë mund të kishin fituar Këlcyrën,  në Dimal PD zyrtare me Bashkë Fitojmë kanë patur në diferencë 194 vota me socialistët, në Sarandë Olti Çaçi fitoi me 700 vota më shumë se opozita dhe kandidati i pavarur, në Devoll socialisti Eduart Duro fitoi me 452 vota më shumë, në Gramsh Besian Ajazi u shpall fitues me diferencë të ngushtë prej 634 votash, në Kuçovë fituesi socialist mori 182 vota më shumë se dy kandidatët e tjerë, në Belsh bashkia humbi për vetëm 45 vota dhe në Rrogozhinë për 23 vota. Në Mallakstër nëse PD do të ishte e bashkuar do të kishte fituar kandidati i partisë zyrtare Agron Kapllanaj dhe në Lezhë diferenca ishte 1881 vota, 3% më pak se fituesi Pjerin Ndreu.

Në rang vendi Partia Socialiste ka marrë 787.098 vota për kandidatët e saj kundrejt 502.679 që ka marrë koalicioni Bashkë Fitojmë. Vota të pavlefshme ishin 41.037. Diferenca mes PS dhe PD në vitin 2021 ishite 145.947 vota, ndërsa PS- PSD si aleatë dhe PD- LSI, kishin një diferencë 73.884 vota. Në këto zgjedhje diferenca është 284 mijë vota më shumë në favor të socialistëve për kandidatët që garuan për kryetarë bashkie.

“Janë shkelur shumë rregulla, kërcënimi që kryeministri bëri për mungesë investimesh është një presion i madh psikologjik për votuesit. Kjo nuk do të ndodhte në asnjë vend normal në botë”, shprehet Neritan Sejamini.

Edhe në votat për Këshillat bashkiakë Partia Socialiste udhëheq me 579.295 kundrejt 247.925 të koalicionit bashkë Fitojmë dhe 103.666 të Partisë Demokratike zyrtare. Diferenca mes PS dhe Bashkë fitojmë e PD bashkë është 227.704 vota më shumë. Surpriza e këtyre zgjedhjeve mbetet rritja me 2.5 herë e mbështetjes së Partisë Socialdemokrate. Në të gjtihë hartën e Shqipërisë kjo parti ka marrë 86.198 me 118 vende në Këshilla, afër numrit 121 të PD-së zyrtare. Socialistët kanë plot 738 mandate në Këshillat Bashkiakë dhe Bashkë fitojmë ndajnë mes PD së rithemelimit dhe Partisë së Lirisë 311 mandate.

“Ka intimidim ndaj administratës, ka presion për të votuar dhe ka shitblerje të votës. Prokuroria e Posaçme ka disa dosje hetimore që po e heton këtë fenomen. Por korrupsioni zgjedhor duhet të hetohet përpara se zgjedhjet të zhvillohen dhe organet hetimore të jenë më proaktive, të bëjnë vëzhgime, përgjime”, thotë gazetarja Klodiana Lala.

Edhe pse gara nuk ishte në kushte të barabarta për të gjitha partitë që morrën pjesë, analistët politikë thonë se humbja e opozitës ishte e thellë, dhe nga rezultati më mirë do të ishte të pranoheshin gabimet se sa energjia të përdoret për të justifikuar dështimin.

OSBE-ODIHR në raportin paraprak të zgjedhjeve konstatoi presione të administartës për të votuar partinë në pushtet ose për të mos dalë për të votuar, raste të shit-blerjes së votës dhe ndikim në rezultat përmes vendimeve në shkelje të Kodit Zgjedhor që ka marrë qeveria për dhënien e shpërblimit 50 mijë lekë të vjetra të pensionistëve dhe rritjen e pagave për disa kategori të administratës publike.

 

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy