
Kreu i shtetit i ka dërguar një tjetër kërkesë KQZ-së, të cilës i kërkon ta njohë me praktikën shkresore që ka ndjekur ky institucion për njoftimin e krijimit të vakancës në Kuvendin e Shqipërisë për shkak të lënies së mandateve nga opozita. Me anë të shkresës zyrtare, presidenti Meta kërkon kopjen e njoftimit të Kuvendit dhe kopjen e dorëheqjes së deputetëve nga mandati.
Po ashtu, në letër kërkohet që presidentit t’i vihet në dispozicion edhe një kopje e vendimit të KQZ për dhënien e mandatit deputetëve pasues në listën shume emërorë.
Letra e dytë e Metës drejtuar KQZ-së vjen pas asaj të javës së kaluar, me anë të së cilës kërkonte zyrtarisht që të njihej me numrin e mandateve aktuale në Parlament. KQZ i ktheu përgjigje Metës në fillim të kësaj jave, duke e vënë në dijeni se aktualisht në Parlament ka 122 deputetë, nga 140 që parashikon ligji.
Duhet kujtuar se në disa deklarata kohët e fundit, Meta e cilësuar Parlamentin aktual si jo legjitim.



