Partia Socialiste ka kritikuar ditën e sotme vendimin e Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla për të zgjedhur zëvendësin e tij në organin e Akuzës.
Për deputetin e PS, Ulsi Manja, kjo është një nismë antiligjore nga ana e Llallës.
Sipas Manjës, zgjedhja e zëvendës Prokuorit të Përgjithshëm, nuk i takon Lallës, por do të duhet të zgjidhet nga ana e Kryeprokurorit të ri.
“Kushtetuta dhe ligji i ri për prokurorinë ka përcaktuar mjaft qartë procedurën, mënyrën dhe kush e zgjedh zv/prokurorin e përgjithshëm. Në këndvështrimin e Kushtetutës dhe ligjit kjo gjë nuk mund të ndodhë”, theksoi Manja.
Sipas deputetit socialist ligji e ka përcaktuar qartë që zv/ prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga prokurori i ri që do të zgjidhet. Lidhur me shqetësimet për disa emërime apo transferime që janë bërë gjatë kësaj kohe nga ana e prokurorit të Përgjithshëm dua të sjell në vëmendje se kompetencat e prokurorit sa i takon transferimeve e emërimeve apo ngritjeve në detyrë janë të limituara sipas kushtetutës dhe ligjit për prokurorinë.
“Më lejoni të them se Prokurori i Përgjithshëm në këtë fazë të reformës në drejtësi ka të drejtë të bëjë vetëm emërimin e përkohshëm të magjistratëve, ndërsa gjithë pjesa tjetër është në shkelje të ligjit për prokurorinë që tashmë është në fuqi”, deklaroi Manja.



