Emisioni “Fol” i gazetarit Erjon Skëndaj u ndal sot në fshatin Sheqeras të Maliqit, ku banorët vendas ngritën një sërë problemesh, të lidhura me pronësinë, mos shitjen e prodhimeve dhe shpopullimin. Disa nga banorët u shprehën kundër të ashtuquajturit “investitor strategjik”, duke hedhur akuza ndaj kryebashkiakut Topçiu se po i ndan tokat me disa persona pranë tij.
Një blegtor 64-vjeçar tha se nga subvencionet nuk përfituan fshatarët.
Jetoj me blegtori, por shteti sivjet na bllokoi fare. Ato toka që kishim ua dha 2-3 vetave shteti, ne tashti falimentuam, s’kemi ku të vemë. Do t’i shes. Jemi 4 veta në familje, s’kemi asnjë të punësuar. Subvencionimi s’iu dha fshatarëve. Nuk përfiton dot të marrësh subvencionim. Qeveria e ka rritur pragun për 100 kokë. 1 kg djath dele 1400 lekë, 1050 i fiton baxhoja. Ne po pasurojmë ata nuk po pasurohemi vet. Investitori hyri ka mbjellë grurë”.
Një tjetër banor akuzon kryebashkiakun duke u shprehur:
Gëzim Topçiu është i zoti i tokës së Sheqerasit! Të mos e marrë tokën sipas qejfit Gëzim Topçiu. Ku e gjeti ai t’ia japë njërit apo tjetrit. Kryebashkiaku i Maliqit është i lidhur me dy tre veta dhe e ndan tokën atje”.
Albert Zenelaku, po banor i Sheqerasit, vë në dukje se po e shesin qumështin për vetëm 550 lekë të vjetra, sipas dëshirës së grumbulluesve, ndërkohë që djathi shitet për 7500 lekë të vjetra.
Ne jemi në rrugë të madhe për qumështit, je në dorë të grumbulluesit. Qumështin po ma merr me 550 lekë të vjetra për litër, ndërsa një kile djath është 7500 lekë të vjetra. Më shumë fiton baxhoxhiu se sa fitojmë ne, ai që e magazinon. Për momentin në fshatin Sheqeras janë pa shitur 15-20 mijë kuintal misër dhe 15-20 kuintal grurë, për të vetmen arsye që s’interesohet asnjëri. Pa u korrur gruri jonë atyre u erdhi mielli nga jashtë. Shteti duhet t’i mbyllë këto gjëra, të shitet njëherë prodhimi vendas. Gruri vendas është prej dy vitesh stok. Thamë që të bëhet ‘Ballkani i Hapur’, por jo kështu! Këtu ka shumë njerëz që kanë marrë drutë duke shkruajtur emrin në listë borxhesh. I lutemi shtetit, të hiqet njëherë prodhimi vendas pastaj të nisë importi. Furrave ua sollën miellin nga jashtë me 220 lekë!”.
Një tjetër banor ngre shqetësimin për shpopullimin.
Po ikin të rinjtë, mosha ime. Banorët kanë frikë të protestojnë. Ky nuk është shtet. Del ministrja dhe u jep atyre që kanë rreth njëri tjetrit lekë për hotele dhe rezorte dhe tërë fshatarët i lënë në mëshirë të fatit”.
Një tjetër banor vë në dukje se gruri ka mbetur stok, ndërsa po importohet nga Ukraina.
Po vjen gruri me 20 lekë nga Ukraina. Gruri ynë po mbetet stok. 3000 kuintal stok i ka një fermer i vetëm në Sheqeras. Gruri nuk shitet, misri nuk shitet, patatja nuk shitet”.



