Zbardhet dhe dokumentohet me prova një tentativë për vrasje e përfunduar me plagosjen e një gruaje, e ndodhur tre muaj më parë, në fshatin Ballagat të Lushnjës, duke u vënë në pranga porositësi dhe ekzekutori i tentativës për të vrarë për motive gjakmarrjeje. Specialistët e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me ata të Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, si rezultat i një pune hetimore intensive tremujore, të kryer me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pasoja e padëshiruar”. Si rezultat i provave të siguruara në kuadër të këtij operacioni, u bë e mundur zbardhja e plotë e një tentative për vrasje, e ndodhur më datë 30.03.2023, në fshatin Ballagat, si dhe kapja dhe vënia në pranga e shtetasve Mariglen Matjani, 28 vjeç dhe Laert Hasalla, 30 vjeç, të dy banues në Ballagat, Lushnjë. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, rezultoi se shtetasi Laert Hasalla ka paguar shtetasin Mariglen Matjani, për të vrarë për motive gjakmarrjeje, shtetasin M. H, 22 vjeç (babai i shtetasit M. H., akuzohet për vrasjen e vëllait të shtetasit Laert Hasalla). Për të përmbushur porosinë e marrë, shtetasi Mariglen Matjani ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin qarkullonin shtetasi M H., dhe halla e tij, shtetasja B. S., 60 vjeçe. Nga të shtënat ka mbetur e dëmtuar në këmbë, 60-vjeçarja. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.



