Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, ka ngritur shqetësimin për atë që e cilëson si përqendrim monopolist në tregun e mediave dhe transmetimeve digjitale në Shqipëri, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga Autoriteti i Konkurrencës.
Duke folur për situatën në ‘MCN Informacion’ dhe duke iu referuar një raporti të Autoritetit të Konkurrencës, Cara tha se tregu ka kaluar nga një strukturë dyopol në një situatë ku, sipas tij, dominon praktikisht një aktor i vetëm.
Para dy seancave kam bërë një diskutim pikërisht për mënyrën e përzgjedhjes së tregut të mediave vizive. Ishte një relacion që bëri Autoriteti i Konkurrencës në Komisionin e Ekonomisë. Aty u pyet mbi situatën e tregut televiziv në Shqipëri.
Sipas tij, të dhënat e raportuara për vitin 2025 tregonin një treg të përqendruar, ku dy kompani kryesore, Tring dhe Digitalb, dominonin transmetimet digjitale dhe paketat e kanaleve.
Siç është pranuar edhe nga vetë Autoriteti i Konkurrencës, në atë kohë kishim një treg të përqendruar, ku dy kompani dominonin tregun e transmetimeve digjitale. Kjo ka qenë një shqetësim prej kohësh, sepse ato kontrollonin përmbajtjen dhe paketat që ofroheshin për operatorët.
Cara shtoi se, sipas tij, zhvillimet e mëvonshme kanë çuar në një përqendrim edhe më të madh të tregut.
Pas vitit 2005 dhe deri në 2009 kanë ndodhur ndryshime në treg. Nga një dyopol kemi kaluar në një treg gjithnjë e më pranë monopolit. Sot, sipas të dhënave që unë disponoj, kemi një aktor dominues që operon përmes një kompanie të vetme dhe menaxhon paketat kryesore të tregut,” deklaroi deputeti demokrat.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për rritjen e çmimeve dhe mungesën e transparencës në treg.
Sipas një dokumenti të firmosur nga shoqata e kabllorëve dhe dërguar Autoritetit të Konkurrencës, çmimet janë rritur deri në 50%. Kjo situatë krijon probleme serioze për konsumatorët dhe nuk ka asnjë shpjegim të qartë.
Në vijim, ai kërkoi që Autoriteti i Konkurrencës të ndërhyjë menjëherë për hetimin e tregut të mediave.
Tregu i transmetimit me pagesë nuk ka të bëjë vetëm me paranë, por lidhet drejtpërdrejt me larminë dhe informacionin e pastër që marrin qytetarët. Autoriteti duhet të ndërhyjë dhe të hetojë se si është sot tregu, kush e kontrollon dhe ku shkojnë pagesat, si dhe çfarë ofrohet falas. Jam i habitur se si AMA po qëndron e heshtur.



