Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Stefan Çipa, priti në takim Ministrin e Shoqërisë së Informacionit dhe të Administratës të Republikës së Maqedonisë, Damjan Manchevski.
Ministri Manchevski shprehu interes të lartë sa i përket dixhitalizimit të të dhënave të shtetasve, pasi Shqipëria është në një fazë më të përparuar se Maqedonia. Për këtë ai kërkoi bashkëpunim dhe përvojën e institucioneve shqiptare.
Ai informoi zv/ministrin Çipa se procesi i dixhitalizimit të Regjistrit Kombëtar të Shtetasve në Maqedoni, financuar nga BE, është në fazën e tenderimit dhe pritet të përfundojë në qershor të vitit 2019.
Zv/ministri Çipa deklaroi se Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile dhe hartimi i Regjistrit Kombëtar të Adresave, po përshtatet me reformën dhe ndarjen e re administrative që u miratua në vitin 2014.
Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, njohu ministrin Mancevski me punën e bërë për Regjistrin dixhital kombëtar të shtetasve. Ai deklaroi se po vijon puna për dixhitalizimin e Regjistrit Kombëtar të Adresave, ndërkohë në të ardhmen këto dy regjistra do të shkrihen në një regjistër të vetëm.
Doracaj shtoi se do të vijojë puna me regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet portaleve online dhe ambasadave.



