Komisioni hetimor për pajisjen e përgjimit IMSI Catcher ka thirrur sot në një seancë dëgjimore ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Në nisje të mbledhjes, deputeti socialist, Pjerin Ndreu, i kërkoi kryetarit Flamur Noka që të zbatohej ligji dhe të mos dilet jashtë objektit të punës hetimore të komisionit.
“Mos ngrini akuza politike dhe personale siç e keni zakon, por bëni punën. Mos bëni shou mediatik”, tha Ndreu.
“Çdo gjë do të bëhet sipas rregullores dhe ligjit. Ky komision është krijuar për zbardhjen e së vërtetës”, tha Noka.
Debatet në nisje të seancës ishin të ngjashme me ato të Komisionit Hetimor për CEZ, ku ish-kryeministri Berisha u thirr ditë më parë në cilësinë e dëshmitarit.
Noka: A keni dijeni për vendin ku është mbajtur pajisja?
Tahiri: Mund t’i drejtoheni prokurorisë për këtë.
Noka: Kush është lista e personave që janë trajnuar me këtë pajisje?
Tahiri: Me gjithë respektin, drejtojuni prokurorisë për këtë.
Dogjani: Ku ndodhet pajisja dhe për çfarë e ka përdorur Policia e Shtetit? Kush e ka bërë trajnimin dhe çfarë numrash janë vënë në dispozicion të trajnimit.
Tahiri: Megjithë respektin, drejtojuni prokurorisë.
Dogjani: Ne po ju pyesim ju si dëshmitar. E konfirmoni atë që keni thënë në proces-verbal?
Tahiri: Drejtojuni Prokurorisë. Kam shumë punë dhe respekt për punën time. Nuk kam kohë për të humbur me politikën tuaj
Noka: Suksese në jetë dhe shpjegojuni shqiptarëve pse shefi i CIA-s nuk ju takoi kur erdhi në Shqipëri. Dje bënte si kokosh, sot erdhi si pulë e trembur nga frika e drejtësisë duke bërë përpjekje duke fshehur të vërtetën. Para se të ngrihej ky komision, mburrej nëpër media. Tani na vjen në komision si pulë e lagur dhe çdo gjë kërkon t’ua kalojë të tjerëve. Nuk iu përgjigj pyetjeve.
Ndreu: Të mos bëjmë interpretime dhe fyerje për ministrin. Nëse gjejmë fakte që bien ndesh me thëniet e ministrit, hajde t’i gjejmë. Nuk ka nevojë të paracaktojmë gjë.



