Kreu i PD-së, Lulzim Basha, në fjalimin e mbajtur sot në çadrën e protestës u ndal në sistemin arsimor të vendit. Basha tha se nxënësit shqiptarë nuk kanë qenë kurrë më të braktisur se sot. Sipas kreut të demokratëve, kjo ka ardhur si pasojë e modelit që është ndërtuar nga maxhoranca aktuale. Basha tha se me afrimin e njerëzve të inkriminuar në politikë dhe administratën publike, të rinjve që shkollohen u është dhënë mesazhi se për ta nuk ka vend në Shqipëri.
Pjesë nga fjala e Bashës
Kurrë më parë nxënësit tanë nuk kanë qenë kaq të braktisur. Sot në ditën e mësuesit është vendi të kujtojmë se pse shqiptarët e adhurojnë kaq shumë dijen. Jemi vendi ku familjarët shpenzojnë më shumë për arsimimin e fëmijëve se cdo vend europian. Shqiptari heq nga buka e gojës për të investuar në arsimimin e fëmijëve. Ne e dimë se çdo gjë kalon përmes dijes. Kjo është arsyeja pse shqiptarët sakrifikojnë. Por përkundër këtij modeli qeveria e Ramës ndërtoi antimodelin e vesit më të pisët në historinë tonë kombëtare. Në vend të modelit te pedagogut, mësuesit e shkencës solli modelin e diplomës false, modelin e të paarsimuarit, hipokritit dhe gjëma më e madhe: atë të kriminelit. Me të u thotë të rinjve shqiptarë se sado të sakrifikoni e të mësoni, për ju nuk ka punë në administratën time, sepse vendet I zënë ata që kanë ardhur nga burgjet. 9700 të rinj me diploma perëndimore janë në Shqipëri. Por Rama zgjedh të marrë krah vetes të dënuarit për drogë e prostitucion, që vijnë nga burgjet e Europës.



