
Lëshimi i masave të sigurisë nga Gjykata e Posaçme për 8 persona, zyrtarë dhe biznesmenë të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që organizonte marrjen e tenderave nga Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit, i gjeti të papërgatitura institucionet publike.
në pah një aferë të përmasave skandaloze: më shumë se gjysma e fondeve përfitoheshin padrejtësisht, përfitues për një kohë të gjatë nga procedurat e prokurimit ishin një dorë kompanish të lidhura me dyshen Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, ndërsa eleminimi i konkurrentëve në garat që hapeshin kishte çuar deri në pengmarrje të biznesmenëve.
Por çfarë ka gjetur deri më sot Prokuroria e Posaçme në dosjen hetimore?
SPAK ka hetuar tenderat për të cilat biznesmeni Gerond Meçe, që u morr peng nga grupi Agasi-Beqiri, ishte tërhequr nga gara, prokurimet që është folur në regjistrimet e gjetura në zyrën e Agasit mes tij, Mirlinda Karçanaj dhe Ermal Beqirit dhe tenderat e lidhura me pagesat që kanë kaluar në favor të kompanisë së Agasit, e cila dyshohet se ka përfituar paratë pa kryer asnjë punë!
Të gjithë procedurat e hetuara kanë një vlerë fondi limit prej 59 milion euro, ndërsa nga kjo shumë dyshohet se në drejtim të kompanisë EA Solution të Ergys Agasit kanë shkuar 29 milion euro.
Skema zhvillohej në këtë mënyrë: Kompanitë Soft & Solution, Horizon, Communication Progress, të lidhura me Ermal Beqirin, firma Fastech në pronësi të Andis Papës dhe First e Gëzim Hoxhës rezultojnë të jenë shpallur fituese në mënyrë të padrejtë përmes kritereve diskriminuese që vendoste Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, siç ishin çertefikatat e sigurisë në rastet e tenderave që nuk ishin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, apo rivlerësimit të procedurave nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në rastin kur fitues nuk shpallej oferta më e ulët, por që ishte kompani që nuk bashkëpunonte me Agasin e Beqirin.
Edhe pse Agasi rezulton pronar i EA Solution, prokuroria gjatë kontrolleve ka konstatuar se punonjësit e deklaruar në firmën e tij në fakt janë të firmës Soft &Solution të Emal Beqirit. Gjatë pyetjes së tyre ata kanë pranuar se nuk e njohin Agasin e se pronari i tyre është Beqiri.
Përgjatë 1 viti, kompania e EA Solution ka marrë 29 milionë euro nga kompanitë e Beqirit, Papës dhe Hoxhës, ndërsa kishte shpenzuar vetëm 300 mijë euro për blerjen e një automjeti. Asnjë faturë nuk dëshmonte aktivitetin e saj në fushën e teknologjisë dhe shërbimeve të tjera.
Përfitimi i gjysmës së vlerës së tenderit dhe rritja e fondit limit në disa raste me dy herë, del në bisedat e zhvilluara mes Ergys Agasit dhe drejtores së AKSH-it Mirlinda Karcanaj. Në një takim të datës 16 mars 2024 mes Agasit, Karçanajt dhe Beqirajt, Agasi citohet të thotë se “projekti bën 2 milion, ne do ta bëjmë 4”.
Hetimi tregoi se pjesa më e madhe e institucionit ishte e kriminalizuar, që nga specialistët, përgjegjësit e sektorit, drejtorët e drejtorive e deri te nëndrejtorja Hava Delibashi dhe drejtorja e përgjithshme Mirlinda Karcanaj të cilat janë marrë të pandehura si pjesë e kësaj strukture kriminale.
Hetimet po vazhdojnë për pjesëmarrës të tjerë në këtë organizatë, anëtarët e komisioneve të tenderave por dhe të Komisionit të Prokurimit Publik. Praktikisht, pjesa më e madhe e strukturës së Agjenicsë së Shoqërisë së Informacionit ka firmosur në këto procedura që janë gjetur të parregullta. Madje në disa, vlerësuese ka qënë dhe motra e Ergys Agasit që mbante postin e drejtores Juridike, Integrimit dhe Prokurimeve eGov në këtë Agjenci.
Situata duket kaotike. Një institucion i cili është i gjithi në dyshim për dhënie tenderash në kundërshtim me ligjin vazhdon të menaxhojë një buxhet në vlera qindra milion euro.
Nga nëntori i vitit 2017, AKSHI kaloi në varësi direkte të kryeministrit Edi Rama dhe ka marrë pushtet të plotë për zhvillimin e çdo procedure prokurimi për të gjithë institucionet publike në fushën e teknologjisë dhe informacionit, përfshirë dhe të sistemeve që lidhen me informacionin e klasifikuar dhe sigurinë kombëtare.
Që nga kjo kohë, AKSHI ka menaxhuar në total 537 milion euro, fonde që janë shumë fishuar krahasuar me buxhetin që kishte në dispozicion përpara vitit 2017.
Për vitin 2026 buxheti i alokuar për Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit është 189 milion euro, duke e bërë një nga institucionet më të rëndësishme sa i takon fuqisë financiare.
Kryeministri Edi Rama shkeli për herë të dytë premtimin e dhënë se nuk do të komentonte mbi vendimet e drejtësisë së reformuar: herën e parë në rastin e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe e dyta për menaxhimin që i ka bërë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Mirlinda Karcanaj, një zyrtare e besuar e tij, që prej kohës kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës.
AKSHI vijonte të drejtohej nga Karcanaj e lënë në masën e arrestit të shtëpisë, ndërsa në detyrë u komandua Romina Kostani, Drejtore e Koordinimit të Agjendës Digjitale dhe Projekteve e-Gov. Por kjo situatë nuk zgjati shumë, në mesin e muajit shkurt në vend të Karcanaj emërohet Igli Tafa, i cili më parë kishte mbajtur detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike. Duket se me këtë lëvizje, po tentohej që kaosi që përfshiu sistemet e shërbimeve online të administratës publike të mund të menaxhohej.
Po kush vazhdon t’i ofrojë sot këto shërbime? A janë të njëjtat kompani pronarët e të cilave janë në kërkim nga drejtësia dhe një pjesë nën hetim për abuzim?
Sipas SPAK, kompanitë Soft & Solution, Horizon dhe Communication Progress në pronësi të Ermal Beqirit ose të lidhura me të, përdoreshin për të marrë tendera dhe për të kaluar para te firma e Ergys Agasit EA Solution. Njësoj ka ndodhur dhe me dy shoqëri të tjera që kanë përfituar kontrata publike nga AKSHI, First dhe Fastech. Në total fondet e buxhetit të përfituara nga këto 5 shoqëri kapin vlerën 111.2 milion euro.
Kompania Soft & Solution rezulton të ketë marrë nga pagesat e thesarit të shtetit 25.7 milion euro, Horizon 13.7 milion euro, First 32.3 milion euro dhe Fastech 24 milion euro.
Por pas gjetjeve të rënda që ka konstatuar hetimi i SPAK për përfitim të parregullt të këtyre kompanive në procedurat e prokurimit publik, nuk ka asnjë reagim institucional: pagesat për kontratat aktive që ato kanë me institucionet publike vazhdojnë.
Soft & Solution ka përfituar 14 pagesa me vlerë 450 mijë euro që nga shpallja në kërkim e pronarit të saj Ermal Beqiri. Transaksionet janë kryer nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Agjencia e Zonave të Mbrojtura, Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor dhe Presidenca.
Kompanitë e tjera që kanë bashkëpunuar me dyshen Agasi dhe Beqiri, First dhe Fastech kanë përfituar 22 transaksione me vlerë 470 mijë euro që nga data e shpalljes së masës së sigurisë nga SPAK për këtë aferë.
Pavarësisht hetimeve, Prokuroria e Posaçme nuk ka vendosur nën sekuestro kompanitë të cilat dyshohen se janë përdorur për përfitime të padrejta të kontratave publike, duke lënë të lirë qarkullimin e parave që ato kanë në gjendje dhe që vazhdojnë të përfitojnë nga institucionet publike.
Madje të njëjtat firma vijojnë të garojnë në tendera dhe të përfitojnë kontrata publike. Rasti i fundit është kontrata që Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka dhënë bashkimit të operatorëve Hoirizon dhe Soft & Solution për sistemin “Enterprice Service Bus”, kontratë me vlerë 2.5 milion euro pa tvsh.
Në të gjithë këtë tablo ku qindra milion euro nga buxheti i shtetit janë derdhur për të financuar shërbimet digjitale, duket se performanca e shërbimeve është e dobët. Nga muaji janar, një pjesë e sistemeve online të administratës publike nuk funksionon, përfshirë ndërprerjet e portalit e-albania dhe paralizimin për ditë me radhë të sistemit Self Care të tatimeve, një platformë e domosdoshme për lëshimin e faturave të bizneseve.
Zgjidhja që mazhoranca ofroi në këtë situatë është ndryshimi i Ligjit për Qeverisjen Elektronike, ndryshime të cilat u zgjodhën të vinin përmes propozimit të deputetit socialist Erion Malaj, dhe jo në rrugën klasike institucionale duke shmangur konsultimin publik dhe llogaridhënien.
Ndryshimet e reja të miratuara në afate rekord, i hapin rrugë krijimit të një kompanie publike në pronësi të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe një firme private, për të ofruar shërbimet e IT-së për institucionet publike. Në asnjë nen të projektligjit nuk përcaktohet që operatori privat bashkëortak me AKSHI-n, do t’i nënshtrohet procesit të përzgjedhjes me garë.
“Për ushtrimin e funksioneve operative të zhvillimit, administrimit dhe mirëmbajtjes së sistemeve TIK, AKSHI mund të krijojë, të marrë pjesë ose të bashkëpunojë me shoqëri aksionere ku shteti zotëron të paktën 51 për qind të aksioneve, si dhe t’u kalojë atyre në administrim sisteme, platforma ose infrastruktura TIK, ose t’i ngarkojë për zhvillimin dhe operimin e tyre nga fillimi. Në çdo rast, kompetencat rregullatore, autoriteti publik dhe përgjegjësia institucionale mbeten te AKSHI", thuhet në Ligjin e ri për Qeverisjen Elektronike.
Por edhe nëse kontraktimi i kësaj kompanie do të bëhej përmes garës, ky lloj modeli nuk zgjidh problemin kryesor të asaj që ka ndodhur me tenderat e AKSHI-t: abuzimin. Përmes administrimit të shërbimeve me vlerë qindra milion euro nga një firmë me kapital të përbashkët publik-privat transparenca ulet dhe pagesat që kjo kompani do të kryejë për shërbimet që merr nga operatorët privatë nuk do të kalojnë përmes thesarit të shtetit, duke zbehur më tej transparencën në menaxhimin e fondeve shtetërore. Nga ana tjetër, punësimet, shkarkimet, pagat dhe përzgjedhja e punonjësve nuk i nënshtrohet rregullave të Ligjit për Nëpunësin Civil. I vetmi kufizim për AKSHI-n në këto ndryshime ligjore është shfuqizimi i përgjegjësisë që ka patur për të kryer procedurat e prokurimit në fushën e sigurisë kombëtare.
Nga dita e krijimit dhe deri më sot, AKSHI ka vepruar si operator qëndror për blerjen e shërbimeve elektronike për agjencitë publike. Tashmë këtë rol nuk do e bëjë vetë, por përmes një kompanie që do të bashkëthemelojë me një firmë private, të cilat do të kenë në menaxhim një fond mesatar vjetor prej 200 milion euro. A ka si qëllim kjo zgjidhje të ndalë abuzimin, apo të lehtësojë pozitën ligjore të personave që do të menaxhojnë paratë?



