
Në vrasjen e gazetarit sllovak Jan Kuciak dy ditë më parë, ka gisht mafia italiane. Në redaksinë e “Aktuality”, ku ai punonte, kolegët janë të sigurt: E ka vrarë Ndragheta. Mesa duket nuk është i rastësishëm fakti se në faqen kryesore të gazetës shfaqet fotoja e disa karabinierëve në një operacion kundër “Ndraghetës”.
“Nuk mund ta themi me saktësi se çfarë ka ndodhur. Por mund të rindërtojmë mozaikun e asaj me të cilën ai po merrej. Jan po merrej me atë çështje. Kishte zbuluar sesi njerëz të ardhur në Sllovaki nga Kalabria disa vite më parë po menaxhonin fonde europiane me njerëz shumë pranë kabinetit të kryeministrit. Kishte relacione dhe fakte të pakundërshtueshme. Ai i kishte shkuar në fund investigimit dhe ishte gati për të nisur të shkruante”, thonë kolegët. Dyshimet janë se Kociak po ndiqte pistën e menaxhimit të një pjese të madhe të “tortës” nga italianë të lidhur me Ndraghetën.
Kuciak ishte 27 vjeç dhe u vra në shtëpinë e tij në Velka Maca, një zonë në perëndim të Sllovakisë, jo shumë larg Bratislavës. Bashkë me të u vra edhe e fejuara e tij, Martina Kusnirova, 27 vjeç edhe ajo. Ata janë vrarë me armë zjarri: Jan në gjoks, ndërsa Martina në kokë. Kuciak punonte në “Aktuality” prej 3 vitesh. ai po investigonte prej disa muajsh në lidhje me fondet e Bashkimit Europian që i jepen Sllovakisë dhe shpesh nuk shpenzohen në mënyrë transparente. Kuciak ka punuar edhe për skandalin “Panama Papers” me informacionet e dala nga studioja “Mossack Fonseca”, falë të cilave është rindërtuar skema e mbi 200 mijë kompanive offshore.
Kuciak kishte bërë investigime serioze në lidhje me kryeministrin socialdemokrat, Robert Fico, dhe në mënyrë të veçantë me dy prej ministrave të kabinetit të tij: Robert Kalinak dhe Jan Pociatek. Objektivi i tij i fundit ishte biznesmeni Marian Kocner, të cilin e akuzonte për operacione jo transparente fiskale dhe menaxhim të paqartë të fondeve europiane. Ditët e fundit, ai kishte shkruar në “Facebook” se kishte bërë një denoncim pas një kërcënimi që i kishte ardhur.
Megjithatë, qeveria e Sllovakisë ka ofruar një shpërblim prej një million euro (në foto) për këdo që ka informacion mbi vrasjen e tij. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



