
Sipas analistit Dritan Shano kriza në PD është sherr në krevat mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. I ftuar në emisionin “Arnautistan” në MCN TV, Shano tha se ajo që po ndodh tregon se Berisha e zotëron partinë më fort se Basha që ka 8 vite kryetar, ndërkohë që shtoi se si Berisha ashtu edhe Basha janë realitet dhe fakt dhe çdo ditë e më tepër debati po kuptohet që është personal.
“Këtë që po ndodh në PD unë e reputoj si një sherr në krevat mes Berishës dhe Bashës. Një tradhti mes krevati që ndodhi për arsye të tjera, gjen një të dashur tjetër dikush. Berisha reputon kështu. Unë mendoj se ka jetë përtej Berishës dhe përtej Bashës. Ajo që po ndodh tregon se Berisha e zotëron partinë më fort se Basha që ka 8 vite kryetar. Ai ka 16 vjet që është kanakari i Berishës, më shumë se kushdo tjetër gjë që ka çuar edhe në krijimin e partive të reja që janë vënë përballë PD. Unë mendoj se Berisha është realitet dhe fakt, Basha po ashtu, çdo ditë e më tepër debati po kuptohet që është personal. Por është edhe një realitet tjetër i demokratëve që do donin të kishin një forcë konkurruese përtej Berishës dhe Bashës”, tha Shano.



