Politologu Roland Bejko tha në edicionin e lajmeve në Mcn Tv se në Shqipëri kemi një tirani të pushtetit ekzekutiv mbi pushtetet e tjera. Sipas Bejkos Rama po u thotë shqiptarëve që kontrollon territorin, që s’e ka pasur në kontroll gjatë mandatit të tretë. Bejko shprehet se BE nuk i kërkon Ramës të shkelë ligjin, sikurse sipas tij është bërë në Theth, ku s’i është lënë kohë qytetarëve të reagojnë dhe të mbrohen.
“Është tirania e pushtetit ekzekutiv mbi të gjitha pushtetet e tjera. Rama po e zbaton këtë tirani sepse i intereson. Disavantazhet i ka kthyer në avantazhe. Ai ka fituar nga qëndrimet e tij kapriçoze, jo normale, atipike. Rama në politikë luan shah, asnjëherë lëvizjet s’janë bosh, edhe nëse fal ndonjë ushtar, e ka pjesë të skemës që të fitojë mbreti, dhe mbreti që është Rama ka fituar gjithmonë. Mundohet t’u thotë shqiptarëve që unë kontrolloj territorin, sepse në mandatin e tretë ai territorin e ka pasur jashtë kontrollit. Duhet të funksionojë shteti dhe shteti është i ndërtuar me pushtete të ndara. E ke parë gjë Ramën të lëvizë me prefektët në krah?! E ka edhe detyrë protokollare të lëvizë me prefektët. Nëse ligjet s’janë zbatuar, ujësjellësit s’kanë funksionuar, duhet t’i thotë prefektëve pse të kam dërguar në territor?! Ramës s’i funksionojnë institucionet, i ka të gjitha institucionet jashtë kontrollit. Kryetarët e bashkive i kishte jashtë kontrollit. Shkon kryeministri dhe bën rolin e kryetarëve të bashkive".
Nuk i janë dhënë vota kryeministrit për t’i kapur pushtet, por për t’i ndarë ato. BE s’i kërkon të shkelë rregullat, nuk i thotë ti prish ndërtimet e paligjshme duke shkelur ligjin. S’i ka dhënë kohë qytetarit të reagojë, të mbrojë veten”.
Duke folur për deklaratat e kryeparlamentares Elisa Spiropali për Gjykatën Kushtetuese, Bejko tha:
“Në kushtet kur Parlamenti është kapur në flagrancë për mos zbatimin e Gjykatës Kushtetuese, i duhet t’i gjejë ndonjë justifikim si ato fëmijët e shkollave 9-vjeçare. Të mos respektosh Kushtetutën do të thotë të devijosh sistemin. Largohemi nga demokracia dhe devijohet pushteti. Prandaj Shqipëria quhet me demokraci hibride. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese dhe përfaqësuesi i BE tha që vendimet e Gjykatës Kushtetuese vetëm zbatohen, nuk diskutohen. Në kuadrin kur janë hapur edhe negociatat, dhe ka filluar diskutimi i kapitujve, BE i kërkon Shqipërisë që të jetë një vend demokratik. S’është hera e parë që qëndrimet e ambasadorit të BE kanë qenë të prera. Qeveria është munduar të kërkojë interpretime nga Komisioni i Venecias për zbatueshmërinë ose jo të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Qeveria as i respekton, as i zbaton ato vendime”.
Sipas Bejkos Rama ndoshta po përgatitet për investitorë strategjikë nga Europa. "Integrimi në BE s’bëhet me aksione, por me institucione!", theksoi ai.



