“Navalny” është dokumentari më i mirë i këtij viti, duke rrëmbyer një Oscar. Me regji të Daniel Roher, Odessa Rae, Diane Becker, Melanie Miller dhe Shane Boris, filmi është një profil i liderit të opozitës ruse.
“Familja Navalny, faleminderit për guximin tuaj, bota është me ju”, tha Roher teksa merrte çmimin duke kujtuar fjalët e liderit të opozitës për luftën e padrejtë të Putinit kundër Ukrainës.
“Unë ua dedikoj çmimin tim, bota nuk e ka harruar mesazhin tuaj, mos kini frikë”, tha ai.
Në ceremoni, Julia Navalnaya, gruaja e disidentit Alexey Navalny dhe një pikë referimi për opozitën ruse, u shfaq e emocionuar nga vlerësimi. "Burri im është në burg, thjesht sepse donte të mbronte demokracinë. Ëndërroj ditën kur ti do të jesh i lirë dhe vendi ynë do të jetë i lirë. Qëndro i fortë, të dua", tha ajo duke emocionuar publikun e “Dolby Theatre”.



