
222 të vdekur dhe qindra të tjerë rezultojnë të plagosur, për shkak të cunamit që goditi Indonezinë, në orën 21:30 me orën lokale. Zyrtarët vendas bënë me dije se numri i të zhdukurve është shumë i madh. Cunami erdhi si pasojë e shpërthimit të vullkanit Anak Krakaota.
Agjencia e menaxhimit të fatkeqësive në Indonezi njofton se qindra ndërtesa u dëmtuan nga cunami i së shtunës, ndërsa paralajmëroi banorët të qëndrojnë larg bregdetit, pasi ekziston frika për një tjetër tsunam.
Zyrtarët vendas thonë se numri i të vdekurve ka gjasa të rritet më tej. Viktimat janë raportuar kryesisht në rajonet Pandeglang, Lampung dhe Serang. Mediat e huaja raportojnë se në Indonezi numri i të vdekurve vetëm në provincën Lampung, mund të jetë me qindra. Ndër zonat më të goditura ishte vendpushimi popullor Tanjung Lesung, në pjesën perëndimore të ishullit Java.
Pamjet e publikuara në mediat sociale tregojnë një dallgë të madhe që përplaset në një tendë që mbulon skenën në të cilën një grup popullor indonezian, Seventeen, po performonte. Anëtarët e grupit rezultojnë të zhdukur.
Organizata e Kryqit të Kuq në Indonezi ndodhet në vendngjarje, duke kontribuarnë kërkimin e viktimave mes rrënojave të ndërtesave të shembura.
Indonezia është një vend i prirur për tsunami, pasi ajo shtrihet në atë që njihet si Unaza e Zjarrit – zona rreth Paqësorit që goditet shpesh nga tërmete dhe shpërthime vullkanike.
Indonezia ka përjetuar disa fatkeqësi këtë vit. Tërmete shkatërruese goditën ishujt turistikë Lombok dhe Sualezi pak muaj më parë. Po ashtu, rënia e një avioni mbi detin Java në tetor shkaktoi vdekjen e 200 njerëzve.
Një nga fatkeqësitë natyrore më të mëdha në Indonezi ka qenë cunami i 26 dhjetorit 2004. Dallga mbi 30 metër përmbyti brigjet e vendit pas një tërmeti nënujor me intensitet 9.1 ballë. Pothuajse 230 mijë njerëz vdiqën, ndërsa dëmet materiale arritën vlerën 2.9 miliardë dollarë.



