Një ditë më parë, një foto e takimit të tyre informal u publikua në të gjitha mediat. Kryeministri Edi Rama është takuar dje me kreun e PAA-së, Agron Duka, dhe ish-deputetin Ndre Legisi.
Vetë Duka e ka komentuar këtë takim në një prononcim të shkurtër për “Panoramën”. “Pas ceremonisë festivë në Kamzë, kryeministri Rama më pyeti nëse mund të pinim një kafe bashkë. Unë iu përgjigja pozitivisht, sepse ne jemi kundërshtarë politikë, por jo armiq. Atëherë, më tha, takohemi në “Rogner” dhe kështu u bë”, ka thënë Duka.
Takimi Rama-Duka-Legisi vjen pak ditë para përballjes së PS-së dhe PAA-së në zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Kolonjës. Pas ndarjes nga jeta të kryebashkiakut Arben Malo, LSI-ja nuk ka pranuar të kandidojë emër tjetër nga radhët e saj, ndërsa PD-ja i ka lënë zonë të lirë aleatit PAA.



