
Parlamenti Europian ka miratuar rregullat e reja në lidhje me të drejtën e autorit.
Sipas reformave të propozuara, Google dhe Facebook duhet të paguajnë për informacionin e përdorur.
Miratimi i ligjeve të reja në mbrojtje të së drejtës së autorit dhe krijimi i njëtrajtshmërisë ligjore në këtë fushë në të gjithë vendet e BE mund të verë edhe Shqipërinë përballë detyrimit për të ndryshuar ligjet në këtë fushë. Në Shqipëri këto të drejta mbrohen nga Sporteli Unik i Administrimit të së Drejtës së Autorit (S.U.A.D.A.), e cila funksionon si një ombrellë në të cilën janë bashkuar të katër Agjencitë e Administrimit Kolektiv të Mbrojtjes së të Drejtave të Autorit. Sofjan Jaupaj, drejtor i Zyrës së të Drejtave të Autorit, Ministria e Kulturës, shpjegon për Tema TV se si do të veprohet në Shqipëri në lidhje me këtë risi.
"Ligji i të drejtës së autorit mbron në mënyrë të njëtrajtshme si materiale print, si materiale muzikore, gjithashtu edhe materiale online. Mbajtësi i të drejtës apo autori ka të drejtën të kërkojë pushimin e cenimit të përdorimit të së drejtës në mënyrë jo të rregullt nga ana e subjekteve përdoruese. Pra nëpërmjet inspektoratit, nëpërmjet edhe gjykatës. Ka pasur zhvillime në BE në këtë kuadër, gjatë muajve të fundit, të cilat në një të ardhme do të bëhen edhe pjesë e realitetit të Shqipërisë. Megjithatë, duke qenë se është një direktivë shumë e rëndësishme dhe ka nevojë për kohë që të implementohet, në dispozitat tranzitore u është lënë afat shteteve anëtare rreth dy vjet, në mënyrë që ata të prezantojnë ligjet e tyre lokale për impementimin e kësaj direktive. Në Shqipëri në momentin që nuk është miratuar nga qeveria, nuk mund ta quajmë një direktivë në fuqi. Në Republikën e Shqipërisë, mënyra e miratimit të direktivave në ligjet shqiptare bëhet në bazë të planit kombëtar të integrimit europian, i cili nuk e parashikon këtë direktivë në momentet që flasim, sepse ligjërisht nuk ekziston derisa nuk ka marrë formën finale. Megjithatë, në vitet në vijim, në momentin që do të kërkohet dhe do futet në planin final, do të mendohet sesi të transpozohet në ligjin shqiptar", shprehet ai.



