Strukturat e policisë po vijojnë me monitorimin e masave anti-Covid nga qytetarët, duke vendosur gjoba për personat apo subjektet që nuk i respektojnë këto masa.
Numri i gjobave raportuar çdo 24 orë nuk është ulur pavarësisht monitorimit të përditshëm.
Vetëm në 24 orët e fundit janë gjobitur 659 qytetarë të cilët lëviznin pa maska në rrugë, veprim i cili ka çuar në gjobitjen e tyre në vlerën prej 3.000 lekësh.
Janë gjobitur gjithashtu edhe 2 lokale me vlerën e 1.000.000 lekësh pasi nuk kanë respektuar protokollet e sigurisë dhe të masave anti-covid.
Sipas njoftimit të policisë 6 qytetarë nuk kanë pranuar të tregojnë mjetin e identifikimit, duke u shoqëruar kështu për në komisariat.
11 qytetarë kanë thyer orën policore duke qarkulluar pas orës 22:00 dhe janë gjobitur me vlerën e 10.000 lekëve.



