Duke komentuar deklaratat e guvernatorit të Bankë së Shqipërisë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, gazetarja Ola Xama tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se duhet të ketë një qëndrim më të drejtë nga Gent Sejko në lidhje me informalitetin në vend. Xama vë në dukje se dikur Sejko është shprehur se informaliteti s’e ka cenuar kursin e këmbimit valutor, ndërsa tani del me një tjetër qëndrim.

"BSH është një institucion i rëndësishëm që ka rol në uljen e informalitetit sa i takon pagesave në Cash, dhe kjo bëhet pikësëpari duke lehtësuar licencimet dhe duke mbështetur facilitimet e instrumenteve të institucioneve të pagesave elektronike. BSH duhet të ketë edhe dakordësinë e Kuvendit dhe politikave të qeverisë për të luftuar informalitetin. Dominanca kryesore është duke kontrolluar dhe mbikëqyrur sistemin bankar, ku sipas vlerësimit kombëtar të riskut nga Agjencia Financare e Inteligjencës, kanali kryesor ku depërtojnë paratë e pista është sektori bankar. Nëse BSH sot thotë që po kemi informalitet, duhet të këtë një qëndrim më të drejtë, të thotë që po ka informalitet dhe e ka cenuar kursin e këmbimit. Jo njëherë informaliteti s’e ka cenuar kursin e këmbimit, dhe njëherë e ka cenuar e këmbimit valutor. Procesi i deeuroizimit është një proces që ka nisur por ka mbetur në letër. Po të shohim ekspozimin e kredisë, dominon kredia në euro, edhe një pjesë e pagesave në tregun imobiliar dhe tregje të tjera, pagesat bëhen në euro. Nuk besoj se ka pasur sukses BSH për të dekurajuar përdorimin e valutave”.
Xama i qëndron mendimit që ka pasur një skemë mashtrimi me mikrokreditë, duke theksuar se përpos Prokurorisë rol ka pasur edhe Banka e Shqipërisë. Sipas gazetares revokimi i licencës duhej marrë më herët, për të ndalur lumin e abuzimeve me qytetarët.
"Kjo situatë mund të ishte ndaluar duke ndërhyrë më herët. Dyshimet që ka patur Prokuroria e Tiranës, që së fundmi ia ka kaluar për kompetencë SPAK, të shohë rolin që ka pasur guvernatori në efektet financiare te shumë konsumatorë dhe klientë, kreditorë të këqij, skema e MCA, ka qenë dekurajimi i agjencive të mbledhjes së borxhit që të mos shkaktonin këto dëme që kanë patur.
Kur një debitor s’ka pasur mundësi të paguante 1 milionë lekë të vjetra, si mund të paguante 1,5 milionë lekë të vjetra, kur kredia 1 milionë lekë të vjetra, është blerë në rastin më të mirë 100 mijë lekë të vjetra. Kërkohej rekuperimi 100 për qind i vlerës së detyrimit, kur ishte blerë me 1/10, edhe me 2 për qind ka pasur raste, por dyfishi i saj, ose 50 për qind me shumë se vlera e detyrimit. I vetmi institucion që mund të ndërhynte, përveç drejtësisë, që ka qenë e kallëzuar nga vet Ministria e Drejtësisë, jo nga një klient i zakonshëm. Përveç Prokurorisë, kush ka patur rol tjetër për ta ndaluar këtë skemë? Patjetër BSH që është institucioni që i licencon këto. Për më tepër ka patur ekzaminimin nga departamenti i mbikëqyrjes te MCA dhe gjetje që trajtonin shkeljet që janë bërë, që duhej adresuar si çështje për ta ndalur këtë skemë. Jo një raport ekzaminimi, por 3 raporte. Vendimin për revokimin e licencës e kemi parë vetëm pasi pati një masë ndalimi nga Prokuroria e përgjithshme. Përse e mori tani vendimmarrjen për revokimin dhe jo më herët për të ndaluar lumin e madh të abuzimit me qytetarët. Nga ajo që dëgjova nga guvernatori, tha që do bisedoj me bankat, për të gjetur një zgjidhje, duket se situata ligjore për kthimin mbrapsht e kredive të këqija nuk është e rregulluar ligjërisht, nuk është askush BSH që të urdhërojë transaksione të kryera nga palë private. Që ka qenë skemë mashtrimi, patjetër që ka qenë skemë mashtrimi”.



