BE pezulloi fondet për bujqësinë shqiptare, në kuadër të programit IPARD II, pas një hetimi mbi dyshimet për korrupsion. Duke folur mbi këtë çështje Roni Telegrafi, ish-zv.ministri i Bujqësisë deklaroi se është i mendimit se do të ketë të dënuar për rastin. Telegrafi vuri në dukje se fakti që BE të heq “drekën” nga tavolina, do të thotë që qeveria s’ka larë duart. Telegrafi u shpreh ndër të tjera se në BE kalohet shpesh nga hetimi administrativ në atë penal, prandaj mendon se çështja do t’i kalojë SPAK-ut. “AZHBR merret me menaxhimin e fondeve të BE për asistencë ndaj bujqësisë shqiptare. AZHBR merret me përzgjedhjen e aplikantëve që aplikojnë për një seri të gjerë fondesh, nga imputet bujqësore te kapacitetet e agro-turizmit. BE bën monitorim të këtij procesi. Por procesi është i gjithi nga qeveria shqiptare. IPARD duhet të ketë filluar në 2018-2019. Qeveria ka të drejtë kur thotë që janë procedura administrative, por lë jashtë gjysmën e fabulës. Zakonisht këto përmbyllen me dënime penale. Marrim Rumaninë, në ma të 2023 u morr i pandehur një deputet si pjesë e një skeme për abuzim me fondet e BE për bujqësinë. Në dhjetor janë dënuar 22 persona, nga të cilët 11 zyrtarë administrate. Hetimet kështu nisin, si hetime administrative, nga të cilat dalin indicie për vepra penale dhe më pas kalohet në hetime penale. Ministrja të vërtetën ka thënë, por mbase shpreson se do mbyllet me masë administrative, dhe e lë këtë gjysmën tjetër pa përmendur", tha Telegrafi. "Në BE kalohet shpesh nga hetimi administrativ në penal, dhe besoj që shanset janë të mëdha në këtë rast. Shanset janë shumë të vogla, për të mos dhënë asnjë shans, që hetimet të përmbyllen me hetim administrativ. OLAF-i s’e ka përmbyllur raportin e vet hetimor. Dhe pjesë e rutinës administrative është që raporti u kalohet organeve përkatëse të drejtësisë. Mendoj që 100 për qind dosja do t’i kalojë SPAK-ut. Në gjykimin tim do të ketë të dënuar për këtë. Të ndërpresësh fondet është një masë administrative shumë e rëndë. Në përgjigjen që zyra administrative i kishte dhënë një mediaje, thoshte se arsyeja pse u bë ndërprerja e fondeve, thoshte pas një hetimi për akuzat për korrupsion. Është shumë serioze gjëja. Kushdo që mendon se kjo punë do mbyllet shpejt dhe pa pasoja, e ka shumë gabim. Fakti që BE po heq drekën nga tavolina, do të thotë që qeveria s’ka larë duart. Me duar të pista ta heqin drekën”, shtoi ai.



