
18 tetori është një datë e rëndësishme për marrëdhëniet e Europës me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Lidhur me këtë të fundit, sinjalet për hapjen e negociatave, vendim që merret pikërisht në këtë datë, sinjalet janë pozitive. Gjatë vizitës së tij në Shkup ditën e sotme, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, ripërsëriti se Maqedonia ka bërë gjithçka që prietj prej saj nga BE-ja për hapjen e negociatave në përputhje me rekomandimet e Komisionit Europian.
“Ju keni gjetur një zgjidhje për krizën dramatike politike në vendin tuaj. Një zgjidhje e bazuar në parime demokratike, vendosmëri dhe sens të përbashkët. Dhe përmes Traktatit tuaj të Miqësisë me Bullgarinë dhe Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, ju jeni bërë kampionë të racionalizmit politik dhe pjekurisë politike në rajon. Këto arritje janë vërtet mbresëlënëse, të njohura ndërkombëtarisht dhe nuk duhet të lihen pa shërblyer nga BE-ja”, tha ai gjatë takimit me kryeministrin Zoran Zaev.
Tusk tha se BE-ja është e bindur për plotësimin e kritereve nga Maqedonia e Veriut. Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të bëjnë pjesën që u takon.
“Kjo është edhe arsyeja pse erdha sot në Maqedoninë e Veriut. Unë dëshiroj ta sqaroj qartë: nuk ka asnjë dyshim në Bruksel në angazhimin tuaj politik për sundimin e ligjit dhe për të luftuar korrupsionin. Sigurisht, çdokush mund në çdo kohë dhe kudo tjetër të bëjë më shumë, veçanërisht kur bëhet fjalë për zbatim. Por ne e dimë shumë mirë që qeveria juaj është e vendosur dhe e qëndrueshme në këtë, edhe në lidhje me vazhdimin e punës së Zyrës së Prokurorit të Posaçëm. Më në fund, më lejoni një metaforë. Procesi i pranimit në BE i ngjan një maratonë më shumë se një sprint 100 metra. Dhe si një vrapues i përkushtuar, unë e di se për çfarë po flas. Për të arritur në vijën e finishit, nevojitet forcë, qëndrueshmëri dhe përqendrim i vazhdueshëm. Dhe ndonjëherë, duhet të them gjithashtu, durim. Nuk kam dyshim se Maqedonia Veriore posedon më shumë sesa mjaft nga të gjitha këto cilësi. Dhe të gjithë duhet ta vlerësojnë atë. Shkupi është vendi më i mirë i mundshëm dhe do të dëshiroja t'u bëj thirrje udhëheqësve të Bashkimit Evropian: Tani ju bëni pjesën tuaj. Sepse Maqedonia e Veriut tashmë ka bërë pjesën e saj”, tha ai.



