Eksperti i ekonomisë, Ardian Civici, thotë se pas situatës së vështirë që ka shkaktuar pandemia, rimëkëmbja e ekonomisë do të kërkojë kohë. Në një intervistë për TvT nëpërmjet Skype, Civici tha se aplikimi i biznesve të mëdha për të përfituar nga fondi i garancisë sovrane dhe procedurat e verifikimit do të bëhen shpejt.
“Kemi hyrë në një fazë të dytë kur ka filluar të marrë jetë plani 2. Ky është një instrument që lehtëson disponibilitetin e likujditetit për bizneset. Procedurat i bëjnë bankat, bizneset duhe të nxitojnë dhe të jenë të sakta. Do të kërkohet verifikimi i dokumentacionit. Në rastin që kemi të bëjmë me një fond garancie, procedurat do të jenë më të shpejta dhe më pak të komplikuara se ato të kredive. Është një kredi me kushte lehtësuese, por që do të shlyhet në një periudhë 1-2 vjeçare”, tha ai.
Marrëveshja mes bankës, biznesit dhe shtetit parashikon që ky i fundit të ketë akses në informacion nga i cili në rastet e kredive të zakonshme është i përjashtuar. Për pedagogun Civici, kjo bëhet në funksion të transparencës me qëllim që fondet të shkojnë në destinacionin që parashikon marrëveshja.
“Ky është moment i jashtëzakonshëm. Transparenca që kërkon Ministria e Financave është sepse këto para duhet të shkojnë në destinacionin e duhur. Sepse mund të ketë biznese që përdorin atë që ne e quajmë kontabilitet i dyfishtë. Pra ndyshe i kanë llogaritë e tyre të brendshme, ndryshe i kanë në marrëdhënie me bankat. Për këtë arsye, MF kërkon që një pjesë e dokumentacioni të jetë në dispozicion të saj”, tha Civici.
I pyetur në lidhje me informalitetin që nxjerr në pah paketa financiare, Civici tha se pasojat duhen parë në dy aspekte.
“Është e vështirë ta thuash se po përfitojmë për të luftuar infomalitetin. Por mënyra si po trajtohen disa instrumente ndihme ose financiarë, ato e nxjerin më në pah informalitetin dhe mund të japin një element që mund të përfitojmë nga kjo situatë për ta luftuar atë. Nuk e di sesa punonjës që janë në sektorin informal do të jenë të gatshëm të denoncojnë punëdhënësit për informalitet. Është një presion që qeverisë i takon ta bëjë, sepse ndikon në uljen e informalitetit, por nga ana tjetër shumë punonjës në situatë informaliteti do të vihen në vështirësi serioze. Aq më tepër është që gjëja më e mundshme është shtimi i papunësisë”, tha ai.



