
Kreu i KQZ-së, Klement Zguri, braktisi mbledhjen ku po diskutohet mbi dekretin e presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve. Në nisje të mbledhjes, Zguri tha se si kryetar i KQZ-së është gjetur në një situatë të pazakontë, që e vë përpara dy kërkesave njëkohësisht: dekretit të presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve dhe kërkesës së nënkryetarit të KQZ-së, Denar Biba, dhe anëtarit Bledar Skënderi. Zguri tha se nuk është kompetencë e tij ligjore interpretimi i vendimit të kreut të shtetit.
“Është situatë e pazakontë. Duket si një lloj sfide. Nga një anë kam dekretin e presidentit që anulon datën e zgjedhjeve dhe nga ana tjetër dy kërkesa nga anëtarët e KQZ-së. Ka një hierarki ligjore. Në 22 vite të punës time nuk më ka rastisur të vëmë në diskutim një dekret presidenti. Jemi përballë këtij fakti. Edhe njëherë nuk dua të gjykoj kompetencën e presidentit. Për mua dekreti është detyrues dhe më duhet të respektoj vullnetin e tij. Jam përballë një vështirësie tjetër. Kërkesa ime për t’ua dërguar dekretin subjekteve zgjedhore është refuzuar. E dhashë këtë si shembull për të kuptuar se ku po shkojmë. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se respektimi i hierarkisë duhet të prevalojë. Nuk e gjejmë me vend që të mundem të drejtoj qetësisht këtë mbledhje”, tha ai duke u larguar nga tryeza e mbledhjes.
Pas largimit të Zgurit, drejtimin e mbledhjes e mori nënkryetari Denar Biba. Ai e cilësoi të paligjshëm dekretin e Presidentit Meta për shfuqizimin e dekretit të mëparshëm për caktimin e 30 qershorit si datë e zgjedhjeve vendore.
“Ai ka diskrecion të caktojë vetëm një datë brenda periudhës zgjedhore dhe jo të mos caktojë një datë zgjedhjesh. Pasi sot Shqipëria është pa një datë zgjedhjesh. Presidenti me vetëdije refuzon të zbatojë detyrimet kushtetuese. Akti i pavlefshëm nuk sjell asnjë pasojë juridike. Ai konsiderohet që nuk ekziston. KQZ ka detyrë të vijojë me organizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. KQZ ka detyrimin, jo të drejtën, të vazhdojmë punën për të çuar shqiptarët që në 30 qershor që të shkojnë të votojnë. Ne kemi detyrim t’jua mundësojmë këtë”, tha Biba.
Mbledhja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, e parashikuar të niste në orën 12:00 për të diskutuar mbi vendimin e Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve, filloi në orën 14:00.
Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i PD në KQZ, Ivi Kaso, ka reaguar menjëhërë pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të rrëzuar dekretin e Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve vendore.
“Refuzimi i pashembullt i KQZ, - u shpreh Kaso, - për të zbatuar dekretin e Presidentit të Republikës, është hapi i parë i një puçi institucional! Asnjë akt i mëtejshëm lidhur me zgjedhjet s'mund të jetë i ligjshëm dhe i vlefshëm për sa kohë s'ka datë të dekretuar për zgjedhjet!”



