E kemi parë në dhjetëra filma, ku ka luajtur role hetero, por aktori i njohur i Hollivudit ka dalë hapur si homoseksual. Kevin Spacey, fitues i çmimit “Oscar”, ka ditur ta ruajë me fanatizëm jetën e tij private për shumë vite. Ditët e fundit, me anë të një postimi në “Tuiter”, iu përgjigj deklaratave të aktorit Anthony Rapp, i cili tha se kur kishte qenë vetëm 14 vjeç, Spacey ishte përpjekur ta joshte.
“Ruaj respekt dhe admirim për Anthony Rapp si aktor. Jam i tmerruar pasi dëgjova këtë histori. Sinqerisht nuk e mbaj mend takimin që ai thotë, mund të ketë ndodhur 30 vjet më parë. Por nëse jam sjellë ashtu siç thotë ai, i kam borxh ndjesën më të sinqertë për një sjellje që mund të ketë ardhur për shkak të pijes dhe më vjen keq që e ka mbajtur përbrenda për kaq vite me radhë. Kjo histori më dha kurajën të tregoj disa gjëra për jetën time. E di që ka pasur shumë histori për mua, që janë ushqyer më shumë nga fakti se e kam mbrojtur me fanatizëm jetën time private. Ata që më kanë njohur nga afër e dinë se kam pasur marrëdhënie me femra dhe meshkuj. I kam shijuar takimet romantike me meshkuj përgjatë jetës time dhe tani kam zgjedhur të jetoj si homoseksual”, shprehet ai në postim.
Por shumë nga ndjekësit e tij shprehen se ajo që ka rëndësi në këtë rast është ngacimimi seksual i një 14-vjeçari vite më parë dhe jo orientimi i aktorit.



