Koreja e Veriut deklaroi se nuk do të ketë asnjë marrëveshje për programin e saj bërthamor, sepse Peniani ka të domosdoshëm të mbrohet ndaj kërcënimit bërthamor amerikan.
Në një intervistë për Reuters, përfaqësuesi koreanoverior i OKB-së, përjashtoi çdo lloj marrëveshje bërthamore me Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që Administrata e Trump po zhvillon për më shumë se 1 javë stërvitje të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut.
Zyrtari koreanoverior, Han Tae Song, tha se Penianit nuk i interesonin aspak sanksionet e reja që që po përgatit administrata Trump.
Koreja e Veriut do të vazhdojë të ndërtojë aftësinë e vetëmbrojtjes, synimi i së cilës është forca jonë bërthamore dhe aftësia për fitore dhe vetëm fitore, tha Tae Song. Ai nënvizoi se Peniani po planifikon përfundimin final të forcës bërthamore.
Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord më herët për një fund paqësor të krizës bërthamore koreanoveriore, por një delegat i SHBA-ve tha se ishte e vështirë të realizohej kjo, nëse nuk merrnin një sinjal pozitiv nga Peniani.
I pyetur për këto bisedime dypalëshe në Seul, Ambasadori koreanoverior në OKB, tha se “përderisa ekziston një politikë armiqësore e vazhdueshme kundër Koresë së Veriut nga Shtetet e Bashkuara dhe për sa kohë që në pragun e tyre vazhdojnë lojërat e luftës, atëherë nuk do të ketë as bisedime dhe as marrëveshje”.



