Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 6 muaj burg ish-gjyqtarin Luan Daci, i akuzuar për falsifikim dokumentesh. Vendimi është shpallur nga gjyqtari Sandër Simoni, ndërkohë prokuroria kishte kërkuar masën e dënimit me një vit burg për ish-anëtarin e KPA-së.
Gjyqtari Simoni pasi dëgjoi pretendimet e palëve vendosi dënimin e Luan Dacit me 6 muaj burg, për 30 muaj të mos kryejë asnjë vepër penale. Ndërsa dënimi ndaj ish-gjyqtarit konvertohet me 12 muaj në shërbim prove.
“Nuk kam falsifikuar asnjë dokument tërë jetën!”. Këto janë fjalët që ish-anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelit tha menjëherë pasi doli nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit.
Avokati i Luan Dacit, Jordan Daci ka deklaruar pas seancës së sotme në GJKKO se vendimi ndaj gjyqtarit është i gabuar dhe kontradiktor.
“Vendimi është i gabuar dhe kontradiktor. U thanë fakte të ndryshme, si dhe i famshmi protokoll i Avokatit të Popullit. S’po flasim për falsifikim. Është një moment që ka të bëjë me marrjen në dijeni ose jo. Nuk jemi përpara një dokumenti, është një precedent i rrezikshëm. I hap rrugw një praktike shumë të keqe. E ka deklaruar disa herë që është shkarkuar në ’97. Kjo që po thoni nuk përbën element të veprës penale. Ligji është fare i qartë, deklarimi i rremë edhe nëse është bërë nuk përbën vepër penale. Në dijeninë time e ka deklaruar. Procesverbaleve i mungon regjistrimi audio. S’ka asnjë efekt, nuk është i formës së prerë, shpresojmë që Apeli duhet të kemi parasysh i dha zgjidhje ekzzistencës së faktit penal. Këtu s’ka përgjegjësi penale, shpresojmë të bindim dhe Apelin”, tha Jordan Daci.
Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, anëtari i KPA-së, Luan Daci, nuk kishte paraqitur në dokumente masën disiplinore të shkarkimit nga Këshilli i Lartë të Drejtësisë në vitin 1997. Ndërkohë që një prej kritereve për zgjedhjen në Kolegjin e Apelimit është që kandidati të mos ketë marrë masë ndëshkuese gjatë ushtrimit të detyrës.
Si u bë Luan Daci gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit
Të gjithë kandidatët për institucionet e vetingut kaluan përmes tre filtrave të verifikimit përpara votimit të tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Institucioni i Avokatit të Popullit verifikoi plotësimin e kritereve formale, duke ia kaluar më pas listën Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që kishte të drejtën të jepte rekomandime negative ose pozitive për kandidatët.
Filtri i tretë ishte Kuvendi i Shqipërisë, ku u ngritën 3 komisione “Ad Hoc”, për shqyrtimin e kandidaturave dhe përgatitjen e listës për votim. Asnjëri prej tyre nuk arriti të verifikonte largimin nga detyra të Luan Dacit në vitin 1997. Dosja e aplikimit të kandidatit Luan Daci u dorëzua në Kuvend më 3 mars 2017 nga Avokati i Popullit.
Sipas dokumentacionit të aplikimit, Daci ka shprehur interes për të gjitha pozicionet në institucionet e rivlerësimit. Në kërkesën që Daci ka dorëzuar pranë Avokatit të Popullit, ai ka pretenduar se ndaj tij nuk është marrë asnjë masë disiplinore e largimit nga puna ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi, sipas legjislacionit në momentin e aplikimit.



