Ish-prokurori Ervin Karanxha deklaroi në MCN se arrestimi i Ermal Beqirit në Francë erdhi pasi ai hyri në një zonë të ndaluar, çka aktivizoi verifikimet e autoriteteve franceze dhe zbuloi se ishte person në kërkim.
Sipas tij, procedura e ekstradimit nuk shqyrton çështjen në themel, por vetëm kushtet ligjore për dorëzimin e tij në Shqipëri, ndërsa theksoi se Prokuroria duhet të tregojë kujdes në sekuestrimin e kompanive për të shmangur falimentimin e tyre.
“Nga të dhënat që kemi parë në media, Ermal Beqiri ka bërë një lëvizje të gabuar. Ai është afruar në një zonë të ndaluar dhe aty është vënë në lëvizje shteti francez dhe gjatë verifikimit në sistem është parë që ky person është në kërkim. Pra nuk ka shumë lidhje me “u kap në ajër” apo “u kap në tokë”. Ky person u kap sepse shkeli rregullat në një shtet të huaj, mori dënimin aty dhe tani është në ekstradim për në Shqipëri.
Procedurat e ekstradimit kanë rregullat e caktuara dhe gjykata e vendos ekstradimin e tij. Nuk i hyhet çështjes në themel, thjesht verifikohet për ekstradim. Ai është kapur për fluturimin mbi reaktor se ndryshe s’do të ishte kapur.
Ka patur raste që nuk ekstradohen, shihet e gjithë situata. Prokuroria shqiptare duhet të jetë shumë e kujdesshme në sekuestrimin e kompanive, sepse duhet të kujdesen që të mos falimentojë.”



