Një vjedhje është denoncuar dje në aeroportin e Rinasit. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, një udhëtar nga Tirana ka rënë pre e një vjedhjeje pasi ka kaluar kontrollin fizik të aeroportit.
43-vjeçari me iniciale A.A., ka bërë kontrollin fizik dhe është ulur në lokalin që ndodhet në brendësi të terminalit, por pas pak minutash i kanë vjedhur çantën me sendet personale dhe një shumë parash prej rreth 2 mijë eurosh.
Për shkak se pavarësisht kontrolleve nuk e ka gjetur çantën, ka denoncuar gjithçka i ndodhi në polici.
Një rast i ngjashëm i ka ndodhur po gjatë së dielës një qytetari nga Fieri, S.Z., 41 vjeç.
Ai ka thënë në polici se teksa po kryente kontrollin fizik, i kanë vjedhur celularin që kishte me vete.
Për shkak të dy denoncimeve njëra pas tjetrës, policia bëri këqyrjen e kamerave të sigurisë, duke arritur të identifikojnë autorin e dyshuar. Bëhet fjalë për 50-vjeçarin nga Shkodra P.D.
Por koha që iu desh policisë për identifikimin e tij, ka mjaftuar që i dyshuari të udhëtojë drejt Italisë, me avionin e linjës Tiranë-Romë, ku dhe kishte destinacionin.



