
Nis sot nga Durrësi stërvitja “Defender Europe 21“, me pjesëmarrjen e rreth 28 mijë trupave shumëkombëshe, nga 27 shtete, që realizojnë operacione pothuajse të njëkohshme në më shumë se 30 zona stërvitjeje, në 12 vende.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njofton çeljen e stërvitjes më të madhe ushtarake që pret Shqipëria si aleate e NATO-s. Në videon prezantuese të eventit sqarohet se “duke u mbështetur në suksesin e vitit të kaluar, “Defender Europe 21“ do të jetë gatishmëria dhe ndërveprueshmëria ndërmjet aleatëve e partnerëve, në përgatitjen e forcave tona të kundërveprojnë shpejt ndaj krizave, si dhe të kryejnë operacione të mëdha luftimi, nëse u kërkohet”.
Stërvitja do të ushtrojë aftësinë e Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë për të shërbyer si Komandë e Bashkuar e Komponentit të Forcës Tokësore, dhe si partner i sigurisë në rajonet me rëndësi strategjike të Ballkanit dhe të Detit të Zi, ndërsa mbështet aktivitetet në Evropën Veriore dhe Afrikë.
Kritike për këtë ndërrmarrje është strategjia e rreptë për parandalimin e COVID-it dhe ajo e mjekimit, e zbatuar nga SHBA-ja dhe vendet pjesëmarrëse. Stërvitje si “Europe Defender 21“, dëshmojnë që përkushtimi i SHBA-së ndaj NATO-s është maksimal dhe se aleatët dhe partnerët e NATO-s qëndrojnë të fortë së bashku.
Shefi i Shtabit të FA, Bajram Begaj: Së bashku përballemi me çdo kërcënim
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, Bajram Begaj, në fjalën e tij tha se kjo stërvitje dhe përzgjedhja e Shqipërisë vë në dukje rëndësinë e pozicionit tonë strategjik në një rajon të brishtë por edhe vlerësimin e rolit të vendit tonë.
"I uroj mirëseardhjen gjithë personelit amerikan këtu dhe i siguroj që mikpritja shqiptare nuk do t'i zhgënjejë. Shtëpia e shqiptarëve është e Zotit dhe e mikut. Së bashku jemi të gatshëm të përballemi me çdo vështirësi", tha Begaj.
Pas përplasjeve në distancë, Rama dhe Meta bëhen bashkë në Durrës
Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta janë bërë bashkë. Stërvitja "Defender Europe 21" i ka bërë bashkë 2 krerët e shtetit, të cilët kohëve të fundit kanë pasur jo pak përplasje në distancë. Megjithatë, edhe në këtë rast ato kanë mbajtur distancë. Në krah të kryeministrit Edi Rama qëndron ambasadorja amerikane Yuri Kim, teks anë krah të kreut të shtetit, qëndron kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi.



