
Ndërsa protestat në vend po i rrezikojnë pushtetin, presidenti i Venezuelës po përballet edhe me presion nga jashtë. Franca, Britania, Spanja dhe Gjermania i kanë drejtuar një ultimatum Nikolas Maduros. Vendet europiane thonë se do të njohin liderin e opozitës, Huan Guaido si president të përkohshëm, nëse Maduro nuk shpall zgjedhjet e parakohshme.
Në postime në rrjetet e tyre sociale, udhëheqësit e Francës dhe Spanjës, Emmanuel Macron dhe Pedro Sanchez, shprehen se do ta njohin Guaido-n si "president në detyrë" nëse Venezuela nuk bën zgjedhje të lira.
“Popullit të Venezuelës duhet t’i bëhet e mundur të vendosë vetë për të ardhmen e tij”, është shprehur Makron.
Ndërsa Spanja i ka lënë Maduros tetë ditë kohë. “Nëse brenda tetë ditësh nuk thirren zgjedhje të ndershme, të lira dhe transparentenë Venezuelë, Spanja do të njohë Huan Guaidón si president të vendit”, ka thënë kryeministri spanjoll.
Edhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federika Mogerini, kërkoi gjithashtu që Venezuela të zhvillojë zgjedhje presidenciale të lira, transparente dhe të besueshme "në përputhje me standardet ndërkombëtare demokratike dhe me rendin kushtetues të Venezuelës".
"Në mungesë të një njoftimi për organizimin e zgjedhjeve të reja me garancitë e nevojshme gjatë ditëve të ardhshme, BE-ja do të ndërmarrë veprime të mëtejshme, duke përfshirë çështjen e njohjes së udhëheqjes së vendit në përputhje me nenin 233 të kushtetutës venezueliane", ka thënë Mogerini.
Por Maduro e hodhi poshtë ultimatumin e djeshëm, duke u shprehur se ai nuk reflekton atë çka mendojnë popujt e Europës. "Askush nuk mund të na japë ultimatum, nëse duan të largohen nga Venezuela, le të largohen. Kjo është arrogancë, elitat europiane nuk reflektojnë mendimin e popujve evropianë", tha Maduro sot në një intervistë për CNN Turk.
Ndërkohë, SHBA-të, Kanadaja dhe vendet e Amerikës së Jugut e kanë bërë fakt të kryer çështjen e presidentit të ri. Ato kanë njohur liderin e opozitës si president i vendit.
Pak ditë më parë, Juan Guidao u vetëshpall president i Venezuelës duke premtuar amnisti politike për ata që vihen në anën e tij. Në një mbledhje të Kombeve të Bashkuara, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u kërkoi vendeve anëtare të ndiqnin shembullin e vendit të tij duke njohur Guaido-n si president.
Ndër të parat që kundërshoi ishte Rusia, e cila tha se mbështet Maduron dhe ka dërguar këshilltarë ushtarakë në Venezuelë. OKB-ja ka kërkuar një hetim në lidhje përdorimin e forcës nga regjimi i Maduros gjatë protestave kundër tij dhe ka shprehur shqetësimin se situata mund të dalë jashtë kontrollit.
Maduro u rizgjodh president vitin e kaluar, në një proces që u kundërshtua gjerësisht nga opozita dhe u kritika nga ndërkombëtarët. Megjithatë, Maduro gëzon mbështetjen e ushtrisë së fuqishme të vendit.



