Një nga katër trupat e kthyer nga Gaza në Izrael të enjten nuk është pengu Shiri Bibas, siç pretendohet nga Hamasi, tha ushtria izraelite.
Lajmi se Shiri Bibas, 32 vjeç, dhe dy djemtë e saj, Ariel dhe Kfir, të cilët tani do të ishin pesë dhe dy vjeç, kishin vdekur, shkaktoi pikëllim në Izrael.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë informuar familjen Bibas se trupat e djemve të saj janë identifikuar pasi eshtrat e tyre iu dorëzuan Izraelit nga Hamasi të enjten.
Por trupi i tretë nuk ishte i nënës së tyre, thotë IDF. Ushtria izraelite kërkoi kthimin e trupit të saj së bashku me pengjet e tjera të mbetura.
“Gjatë procesit të identifikimit, u konstatua se trupi i marrë nuk është ai i Shiri Bibas. Ky është një trup anonim, i paidentifikuar. Kjo është një shkelje e ashpërsisë më të madhe nga organizata terroriste Hamas, e cila është e detyruar sipas marrëveshjes për të kthyer katër pengjet e vdekur. Ne kërkojmë që Hamasi të kthejë Shirin në shtëpi së bashku me të gjithë pengjet tanë,” postoi IDF në X.

Zhvillimi kërcënon të prishë marrëveshjen e brishtë të armëpushimit të arritur me mbështetjen e SHBA-së dhe me ndihmën e ndërmjetësve të Katarit dhe Egjiptit muajin e kaluar. Lirimi i së enjtes shënoi herën e parë që grupi kthente eshtrat e pengjeve të vdekur.
Bibas dhe fëmijët e saj, të cilët Hamasi thotë se u vranë në një sulm ajror izraelit në ditët e para të luftës u bënë simbol i sulmit të Hamasit të 7 tetorit 2023 që ndezi luftën në Gaza. Trupi i pengut të katërt është konfirmuar se është i 85-vjeçarit Oded Lifshitz, sipas familjes së tij.
Hamasi tha të premten se mbetjet e Bibas duket se ishin përzier me mbetje të tjera njerëzore nga rrënojat pasi një sulm ajror izraelit goditi vendin ku ajo mbahej. Morgjet në Gaza filluan të mbushen shumë herët gjatë luftës, e cila ka vrarë rreth 48,000 njerëz.
Gjatë luftimeve, shumë nga të vdekurit u varrosën në varre masive me qëllimin për të mbajtur funerale dinjitoze dhe për të zhvendosur trupat në varreza kur situata ishte më e sigurt. Rreth 1200 njerëz u vranë më 7 tetor dhe 250 të tjerë u morën peng.



